Irani nuk do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, objekt i një mosmarrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara, “edhe nëse na imponohet lufta”, tha sot (8 shkurt), Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, vetëm dy ditë pas bisedimeve mbi programin bërthamor të Teheranit me Uashingtonin.
“Irani ka paguar një çmim shumë të lartë për programin e tij bërthamor paqësor dhe për pasurimin e uraniumit”, tha Abbas Araghchi në një forum në Teheran.
“Pse këmbëngulim në pasurimin (e uraniumit) dhe refuzojmë ta braktisim atë edhe nëse na imponohet lufta? Sepse askush nuk ka të drejtë të diktojë veprimet tona”, tha diplomati, i cili pati kontakte në Oman të premten me të dërguarin e SHBA-së Steve Witkoff.
“Vendosja e tyre ushtarake në rajon nuk na tremb”, tha ministri i jashtëm iranian, një ditë pasi i dërguari i Donald Trump për Lindjen e Mesme vizitoi aeroplanmbajtësen amerikane Abraham Lincoln në rajonin e Gjirit.
“Ne jemi popull i diplomacisë, jemi gjithashtu popull i luftës, por kjo nuk do të thotë që kërkojmë luftë”, tha Araghchi në një forum në Teheran.


