Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko është shprehur ditën e sotme se situata energjitike në vend “po përmirësohet çdo ditë”. Halushchenko shtoi se pa valë të tjera sulmesh ajrore, “në një afat të shkurtër do të jemi në gjendje të stabilizojmë dhe të zvogëlojmë kohëzgjatjen e ndërprerjes.”
Ai tha se për sa kohë do të ketë ende ndërprerje, qëllimi është që ato të bëhen sa më të planifikuara. Duke folur në televizionin ukrainas, Halushchenko përshkroi vizionin e tij për të ardhmen e rrjetit ukrainas.
“Ne nuk duam ta rikthejmë sistemin siç ishte më parë. Ne do ta bëjmë modern”, tha ai.
Ai foli për dy rrugë për infrastrukturën energjetike të Ukrainës, afatshkurtër dhe afatgjatë. Synimi afatshkurtër ishte të rivendosej sa më shumë që të ishte e mundur, ndërsa në terma afatgjatë, i gjithë rrjeti do të kishte një “pamje krejtësisht të ndryshme”.
Ukrenergo, operatori shtetëror i energjisë i Ukrainës, tha të mërkurën se deficiti energjetik i vendit qëndroi në 27% që nga ora 11:00 me orën lokale. /abcnews.al/



