Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias filloi të martën një seri vizitash në vendet e Lindjes së Mesme, duke filluar me Arabinë Saudite, ku do të zhvillojë bisedime për çështje të rëndësishme rajonale, duke u përqëndruar në zhvillimet në Mesdhe pas nënshkrimit të memorandumeve midis Turqisë dhe Libisë , si dhe bisedime bilaterale.
Dendias filloi takimet e tij në Riad me kryetarin e Asamblesë Konsultative të Arabisë Saudite, Dr. Abdullah bin Mohamed bin Ibrahim Al Al-Sheik dhe më pas u takua me Mbretin e Arabisë Saudite, Salman bin Abdul Aziz Al Saud dhe homologun e tij, Faisal bin Farhan Al Saud. Dendias do të vazhdojë takimet në Lindjen e Mesme me vizitën në Emiratet e bashkuara Arabe dhe më pas në Jordani.
Dendias u takua të hënën me Sekretarin e Përgjithshëm të KB Antonio Guterres në Gjenevë dhe i shpjegoi arsyet pse memorandumet e nënshkruara midis Turqisë dhe Libisë janë konsideruar të pavlefshme.
Ndërkohë, sipas burimeve diplomatike, në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të KB dhe presidentit të Këshillit të Sigurimit, Egjipti i ka shpallur të pavlefshme këto dy memorandume dhe kërkon që ato të mos regjistrohen./abcnews.al