Ministri francez i ambientit është përfshirë në një skandal financiar me mediat që e akuzojnë se po bën jetë luksi me paratë e taksapaguesve. Ai ka pranuar të rimbursojë personalisht shpenzimet e tepruara por nuk pranon të japë dorëheqjen.
Është gati të rimbursojë çdo shpenzim të tepruar ministri francez i ambjentit Fransua de Rugi, i akuzuar nga mediat se po bën jetë luksi me paratë e taksapaguesve, me darka me shampanjë dhe gaforre për bashkëshorten e tij dhe miqtë. Ministri nuk do të japë dorëheqjen pavarësisht se janë disa palët që kërkojnë largimin e tij nga posti pas publikimit të pamjeve ku shihet ministri në një tryezë të zbukuruar për Shën Valentin, e ndriçuar me qirinj përballë gaforreve gjigante dhe një tapeti me petale trëndafilash.
Darkat e shtrenjta si dhe ristrukturimi i zyrës që i ka kushtuar taksapaguesve 63 mijë euro, daton në periudhën qershor 2017 – tetor 2018, kur ai ishte kryetar i parlamentit. Ministri francez i cilësoi groteske akuzat, ndërsa mediat raportojnë se ai është njeriu kyç për reformën e ambientit të kërkuar nga presidenti Emanuel Macron. /ABC News Albania 24/7