Mini-turneu zyrtar i radhës i UEFA-s/ Raundi i parë i ndeshjeve të Euro U-19 për vajza do të zhvillohet në Tiranë

schedule16:56 - 22 Nëntor, 2024

schedule 16:56 - 22 Nëntor, 2024

Pas organizimit të suksesshëm të tre raundeve të para të ndeshjeve të Euro U-17 për vajza dhe Euro U-17 e U-19 për djem, Federata e Futbollit do të mirëpresë edhe raundin e parë të sfidave të Europianit U-19 për vajza gjatë periudhës 27 nëntor – 3 dhjetor.

Shqipëria U-19 për vajza, që drejtohet nga trajnerja Luçije Gjini është pjesë e grupit B1 në Ligën B së bashku me Moldavinë, Malin e Zi dhe Bjellorusinë. Të gjashta sfidat e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 27, 30 nëntor dhe 3 dhjetor në “Shtëpinë e Futbollit” dhe në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Më 27 nëntor do të luhen ndeshjet e para të grupit. Bjellorusia do të përballet me Moldavinë në ora 11:00 në “Shtëpinë e Futbollit”. Nga ana tjetër, Shqipëria do të luajë ndaj Malit të Zi takimin e parë në stadiumin “Arena Kombëtare” në ora 13:30.

Tre ditë më vonë do të zhvillohen sfidat e dyta të grupit B1. Bjellorusia do të luajë kundër Malit të Zi, me sfidën që do të zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit” në ora 11:00. Pak më vonë, në ora 13:30, Shqipëria do të presë Moldavinë në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Ndeshjet e treta dhe të fundit të grupit do të luhen në të njëjtën orë, 13:30. Shqipëria do të përballet me Bjellorusinë në “Arenën Kombëtare”, ndërsa Moldavia do të luajë ndaj Malit të Zi në “Shtëpinë e Futbollit”.

Në të gjashta këto sfida, hyrja në stadiume do të jetë falas. Federata e Futbollit fton të gjithë tifozët të jenë pranë ekipit kombëtar të vajzave U-19 dhe t’i mbështesin sa më shumë. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!