Mimi Kodheli ishte protagoniste mbrëmjen e sotme në “E ardhmja është vajzë”, përballë Jozefina Topallit, gjë e cila e ka bërë më të veçantë këtë puntatë. Ato rrëfyen për autoren dhe moderatoren e programit të së mërkurës në mbrëmje në ABC, Ermira Çausholli, historitë e tyre të suksesit, por edhe vështirësitë e jetës, me të cilat emocionuan jo pak.
Në rubrikën “Djemtë e jetës time” Mimi u surprizua nga djali i saj, Mikeli, në mënyrën më domethënëse vetëm disa javë para zgjedhjeve. Në një video-mesazh ai u kërkoi nënave dhe djemve të votojnë Mimi Kodhelin më 25 prill si përfaqësuese e dashurisë, punës dhe përkushtimit ndaj familjes së madhe shqiptare.
Këto fjalë surprizuan jo pak deputeten, e cila u shpreh se ai nuk është shumë ‘njeri i fjalës’ dhe se u habit shumë nga kjo video. Mimi njihet për natyrën e saj të rreptë në politikë e rrallëherë rrëfehet për jetën personale. Në intervista të ndryshme, ajo ka treguar për marrëdhënien me të birin, duke e cilësuar si gjënë më të shtrenjtë në jetën e saj. Hera-herës ka postuar në rrjetet sociale foto me të, por gjithsesi e ka mbajtur larg vëmendjes së publikut.
Ndërkohë, edhe Jozefina ka marrë një mesazh emocionues nga nipi pasi i biri, Genari ka zgjedhur mos të bëjë dalje publike nisur edhe nga pozicioni i tij i punës. Krejt papritur në ekran shfaqet nipi i Jozefinës, e cili thërret “nëna”, teksa e sheh atë në televizor. Padyshim kjo video e ka emocionuar shumë Jozefinën, pasi s’ka si dashuria e gjyshërve për nipërit./abcnews.al