Miluoki, skuadra më e mirë e NBA-së

schedule15:29 - 13 Mars, 2019

schedule 15:29 - 13 Mars, 2019

Skuadra më e mirë e basketbollit amerikan këtë sezon, Miluoki, po mendon për plej ofin. Yjet kryesorë po luajnë pak, që të jenë të shlodhur për momentet vendimtare.

Mbrëmjen e fundit, Lebron Xhejms shënoi 36 pikë ndërsa Janis Antetokunmpo arriti vetëm deri në 24. Pavarësisht madhështisë së yllit të Lejkërsave, ai i Miluokit pati një dizavantazh, nëse mund ta quajmë kështu, pasi ishte në parket për shumë më pak kohë. Antetokunmpo luajti vetëm 26 minuta, gjatë të cilave realizoi 24 pikët, kapi 9 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë.

Xhejmsi, nga ana e tij, luajti 33 minuta e gjysmë. Miluoki, skuadra më e mirë e sezonit të rregullt të NBA-së, deri tani, duket qartë se po mendon për plej ofin, duke mos i angazhuar shumë yjet kryesorë në ndeshjet e fundit, siç ndodhi edhe në fitoren në fushën e Nju Orlinsit.

Kështu, Kris Midëllton luajti 30 minuta, po kaq Bruk Lopez, ndërsa Malkolm Brogdon vetëm 20, Bledsou 29 dhe Mirotiç 24 minuta. Shumë pak, për ndeshjet e NBA-së që zgjasin nga 48 minuta. Miluoki fitoi 130-113, pavarësisht nga prania në fushë e Entoni Dejvisit, me 21 pikë, 12 topa në tabela për 21 minuta lojë për vendasit.

Skuadra nga Verilindja e SHBA-së është në krye të renditjes në Konferencën Lindore me 51 fitore e 17 humbje, dhe me bilancin më të mirë në gjithë NBA-në. Analistët dhe media e cilësojnë Miluokin si misterin e vërtetë të kampionatit, pasi vërtet është në formë të shkëlqyer, por mund të penalizohet në plej of nga mungesa e përvojës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!