Miluoki mund Detroitin dhe kualifikohet

schedule18:43 - 23 Prill, 2019

schedule 18:43 - 23 Prill, 2019

Miluoki u kualifikua për në raundin e dytë të plej ofit në basketbollin amerikan, pas një suksesi total ndaj Detroitit. Skuadra pa shumë emër cilësohet si një nga favoritet për titull

Kishin 18 vjet që e prisnin këtë moment.

Basketbollistët e Miluoki Baksit dhe tifozët e tyre nuk e kishin provuar që nga 2001-shi se çdo të thoshte kualifikimi për në raundin e dytë të plej ofit në NBA.

Ia dolën më në fund, madje në mënyrën më të mirë të mundshme, duke “fshirë” Detroitin e lavdishëm nga rruga e tyre, me një sukses 4-0.

Fitorja e katërt dhe kualifikuese, 127-104, u arrit përsëri në Arenën e Detroitit, aty ku Pistonsët janë shumë të vështirë për t’u mundur, veçse Miluoki pati një “as nën mëngë”.

Janis Antetokunpo, kapiteni i skuadrës më të mirë të sezonit të rregullt në NBA, ishte i papërmbajtshëm duke shënuar plot 41 pikë, rekordi i tij në plej of.

Përveç pikëve, emigranti afrikan i Greqisë, sot yll në Amerikë, kapi edhe 9 topa në tabela, shërbeu 3 pasime për kosh, vodhi 1 top dhe bllokoi 4 gjuajtje të kundërshtarëve.

As lojtarë të fuqishëm e të talentuar si Andre Dramond dhe Blejk Grifin nuk arritën që ta ndalonin.

Natyrisht, Miluoki nuk është vetëm Antetokunmpo.

Në ekipin numër 1 të sezonit janë edhe Kris Midëllton, Erik Bledsou, Nikola Mirotiç apo Ersan Iljasova, sa për të përmendur disa emra.

Përvoja, pra, nuk mungon, dhe dueli i raundit të dytë, gjysmëfinale e Konferencës Lindore, nuk duket aq i pamundur për t’u fituar.

Aq më shumë që Miluoki ka favorin e ndeshjes vendimtare në fushën e vet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!