Dukej si një duel: “Ju nuk jeni Përfaqësuesi i Lartë”, i shkroi Milorad Dodik, presidenti i Republikës Srpska, Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së për Bosnje-Hercegovninën, Christian Schmidt të enjten në një letër të hapur. “Ju nuk përfaqësoni bashkësinë ndërkombëtare në Bosnje-Hercegovinë.” Në rast se Schmidt do të udhëtonte nga kryeqyteti Sarajevë për në Banja-Luka, kryeqytetin e Republikës Srpska, Dodik kishte edhe një kërcënim të hapur: Ai duhet të priste “arrestimin ose dëbimin”. Një dekret përkatës është “duke u përgatitur”.
Qëkur 66-vjeçari Christian Schmidt, një kohë ministër i Bujqësisë nën Angela Merkelin, e mori postin para dy vjetësh politikisht janë lëvizur shumë gurë në vendin e vogël ballkanik me 3,5 milionë banorë. Nga tre liderët e fuqishëm dhe të korruptuar të partivë kombëtare të boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve ka mbetur vetëm njëri – Milorad Dodik. Me dekrete të rrepta të mbështetura nga Berlini dhe Uashingtoni, Schmidt ia doli të vendoste zgjedhjet e bllokuara prej vitesh.
Rezultati: Partia boshnjake, “Partia e Aksionit Demokratik,nën Bakir Izetbegovic, djalin e presidentit të njohur në kohën e luftës, Alija, nuk është më pjesë e qeverisë. Partia përkatëse kroate e Dragan Covic, i akuzuar për korrupsion tre herë dhe që ia doli të shpëtojë në minutën e fundit, nuk ka më rëndësi politike. “Federata”, të cilën 50% e boshnjakëve e ndajnë me 15% të kroatëve ka pas katër vitesh bllokadë sërish institucione funksionuese.
Gjestet kërcënuese specialitet i njohur
Ashtu si mendohej, Milorad Dodik, po del si njeriu më i vështirë. Pas kërcënimit të Përfaqësuesit të Lartë me arrestim, Schmidt hoqi dorë nga udhëtimi dhe e komentoi me fjalët. Jemi “në Ballkan”, kur jo çdo fjalë “vihet në peshoren e artë”. Dodik u tërhoq dhe në fund u tha se policia e Republikës Srpska nuk mund të garantojë sigurinë e tij. Gjestet kërcënuese janë specialitet i 66-vjeçarit Dodik. Prej vitesh ai flet për një referendum, në të cilën serbët boshnjakë do të vendosin për ndarjen nga Bosnja. Deri tani ai nuk është zhvilluar.
Realisht Dodik nuk i ka edhe aq të mira letrat që ka në dorë. Nga Serbia fqinje vijnë vetëm verbalisht tone mbështetëse. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq përpiqet me vendin e tij të ruajë balancën mes BE dhe Serbisë, gjë që pas pushtimit rus të Ukrainës është bërë më e vështirë. Edhe nga ana ekonomike, situata në Republikën Srpska nuk është më e mira. Rusia, tek e cila mbështetet Dodik nuk ka se ç’ofron më shumë. Gjermania për shkak të grindjes së fundit ka anuluar projekte infrastrukturore në vlerë 105 milionë euro.
Edhe në politikën e brendshme, Dodik nuk është aq i pacënueshëm siç beson. Një ligj kundër “shpifjes” me të cilën ai do të kufizojë mediat ka shkaktuar protesta. Qëkur Bosnje-Hercegovina vitin e kaluar u bë kandidate për në BE ai nuk merr më aq pikë me mbështetjen e tij për Rusinë. Rinia në vend largohet masivisht në drejtim të BE, jo Rusisë. Edhe ardhja e Christian Schmidt ishte dështim për Dodikun. Schmidt u zgjodh nga Këshilli i Implementimit të Paqes, Peace Implementation Council PIC, ndryshe nga rastet e mëparshme ku përfshihej Këshillin e Sigurimit, pasi Rusia kishte bërë të ditur aty veton e saj.
Schmidt përdor kompetencat fuqiplota
Schmidt filloi me energji punën, e ndryshe nga paraardhësit, ai filloi intensivisht të përdorte kompetencat e njohura si “kompetencat fuqiplota të Bonnit”. Dodik që nuk e njeh Përfaqësuesin e Lartë për shkak se nuk u përfshi Këshilli i Sigurimit, e ruajti këtë si kartë të rëndësishme deri në qershor 2023, kur guxoi përballjen e hapur. Ai vendosi që dekretet e Përfaqësuesit të Lartë të mos zbatoheshin më në Republikën Srpska, Schmidt u kundërpërgjigj dhe kërcënoi me pesë vite burg funksionarët që injoronin vendimet e tij me një ligj të lëshuar prej tij. Prokuroria në Sarajevë ngriti pati kundër Dodik, një gjykatë e miratoi atë.
Që lufta e nervave mes presidentit të Republikës Srpska dhe Përfaqësuesit të Lartë do të shkallëzohet në një luftë të vërtetë me armë, shihet si jo realiste si në Sarajevë edhe në Banja Luka Dodik që në rininë e tij ka refuzuar shërbimin ushtarak në Jugosllavi, dhe në vitet e luftës 1992-1995 nga Bosnja u arratis në Beograd, është trembur para kërcënimeve ushtarake.
Ende në vend qëndron trupa e paqes, EUFOR Althea. Edhe nëse, siç dëgjohen zërat, që Këshilli i Sigurimit ndoshta nuk mund ta zgjasë këtë mision për shkak të kërcënimit të vetos ruse, misioni Althea do të qëndronte në vend i legjitimuar nga qeveria në Sarajevë./DW