Miliona euro humbje shtesë në rrjetin e energjisë elektrike

schedule07:13 - 23 Maj, 2020

schedule 07:13 - 23 Maj, 2020

Sistemi elektroenergjetik shqiptar pësoi një rritje të konsiderueshme të humbjeve në rrjet gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke përmbysur një tendencë pozitive disavjeçare dhe duke ngritur pikëpyetje nëse reforma e shumëreklamuar dhe e dhunshme e qeverisë katër vjet më parë ka dalë me sukses apo po dështon.

Të dhënat e reja të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se humbjet në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes ishin në tremujorin e parë 2020 sa 27% e energjisë së furnizuar ose 573 mijë megavatorë. Humbjet ishin 530 mijë megavatorë ose 22% e energjisë së hedhur në rrjet në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pjesa më e madhe e humbjeve janë klasifikuar si humbje në rrjetin e shpërndarjes për shkaqe teknike ndërkohë që humbjet joteknike (e.g. energjia e vjedhur nga rrjeti) kanë pësuar rënie të konsiderueshme.

Shtesa prej 42 mijë megavatësh humbje në tremujorin e parë ka vlerë tregtare me cmim pakice prej afro 4.2 milionë eurosh.

Shqipëria ndërmorri një reformë në vitin 2015, në të cilën rriti çmimet e furnizimit për pjesën dërrmuese të konsumatorëve ndërsa hodhi policinë e shtetit për të arrestuar mijëra persona të dyshuar për vjedhje të energjisë, në një fushatë që mbipopulloi burgjet dhe la në errësirë mijëra familje që nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë faturën e energjisë ose janë zënë në ngërçin e borxheve të mëdha shumëvjeçare që kanë akumuluar ndaj OSHEE-së.

Humbjet u reduktuan nga 30% e energjisë së hedhur në rrjet në vitin 2015 në 21.7% në vitin 2019. Por plani i investimeve parashikonte që përgjatë kësaj periudhe, humbjet të reduktoheshin deri në 14% gjë që nuk ka ndodhur.

Çdo 1% humbje në rrjet është e barabartë me afro 8 milionë euro energji me çmim pakice ndërsa të 22% të humbjeve të vitit 2019 kanë vlerë tregtare prej 170 milionë eurosh në vit.

Aktualisht reduktimi i humbjeve është më i mundshëm sa i përket humbjeve teknike të cilat përbëjnë 71% të të gjitha humbjeve.

Tremujori i parë i këtij viti përfshin pjesërisht edhe muajin Mars, kur një pjesë e kapaciteteve ekonomike të vendit nuk punoi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kjo nuk duket të ketë shkaktuar ndonjë rënie të konsiderueshme në konsumin e energjisë elektrike.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, konsumi i familjeve u rrit me 3.3% ndërsa konsumi i bizneseve dhe institucioneve të tjera ra me 6.7%. Konsumi total i matur me fatura ra me 1.5%. /BIRN

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!