Milani arriti një fitore shumë të rëndësishme ditën e djeshme në derbin kundër Interit. Të besuarit e Stefano Piolit mposhtën 1-2 në “San Siro” zikaltrit dhe tashmë janë të vetëm në krye të renditjes.
Sfidën e vendosi Zlatan Ibrahimovic, me dy gola dhe i dha fitoren “Djallit” pas katër vitesh me Interin. Reagimet në rrjetet sociale ishin të shumta, ku sigurisht nuk munguan dhe disa postime pikërisht nga suedezi.
Milano never had a king, they have a GOD pic.twitter.com/LmQxt0XnwG
— Zlatan Ibrahimović (@Ibra_official) October 18, 2020
39-vjeçari ka postuar para pak minutash një foto në “Twitter”, ku shikohet ai teksa rrethohet nga shokët e skuadrës pas golit të shënuar. “Milano kurrë nuk ka patur një mbret, ata kanë një Zot”, shkruan Ibra.
Pse e ka bërë këtë postim? Le të kthehemi pas në kohë, kur Romelu Lukaku shkruante pas derbit “ka një mbret të ri në qytet”. Ibra nuk harron dhe jashtë fushe golat i ka të shpeshtë. Pa asnjë diskutim ky ishte i treti, këtë herë kundër Lukakut. /abcnews.al