“Milani më detyroi të tërhiqem, Gattuso nuk më foli kurrë!” mesfushori mbyll karrierën

schedule09:16 - 13 Nëntor, 2019

schedule 09:16 - 13 Nëntor, 2019

Riccardo Montolivo ishte një mesfushor shumë i mirë te Fiorentina dhe kualiteti i tij të jepte shpresë për një karrierë të madhe. Në vitin 2012 erdhi transferimi te Milani dhe aty nisën problemet. Kuqezinjtë kaluan në krizë dhe paraqitjet e organizatorit filluan të ishin gjithnjë e më negative. Dëmtimet bënë të veten, teksa sezonin e kaluar Gennaro Gattuso e “përjashtoi” nga ekipi.

Zgjedhje teknike e cilësoi veprimin e tij ish-trajneri i kuqezinjve, teksa lojtari nuk u aktivizua asnjë sekondë gjatë gjithë kampionatit. Montolivo nuk u ankua kurrë, të dy u larguan në fund të sezonit. Në një prononcim të dyfishtë për Corriere dello Sport dhe Corriere della Sera, 34-vjeçari tregon se i ka dhënë fund karrierës. Ai nuk e kupton trajtimin e bërë nga trajneri, prej të cilit pret ende një përgjigje dhe shpjegim.

Montolivo dhe Gattuso

Periudha e fundit te Milani ishte një udhëkryq. Më mënjanuan, nuk më jepnin asnjë shpjegim. Më detyruan të largohem nga futbolli. Nëse do të bëja luftë, ndoshta do të arrija diçka, por nuk do arrija të shihja vetën në pasqyrë.

Nuk kam mllef, thjesht kam nevojë për një përgjigje. Gattuso nuk ma shpjegoi kurrë përjashtimin nga skuadra. Thoshte se nuk kisha minuta në këmbë dhe nuk luaja. Si mund t’i kisha minutat kur nuk më fuste kurrë në lojë? Nuk e thonë që refuzova largimin për të provuar shanset e mia te Milani“, thekson Montolivo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!