Rinovimi me Gigio Donnarumma është një nga çështjet që duhet të zgjidhë Milani. Portieri i talentuar ndodhet në vitin e fundit të kontratës me klubin e famshëm italian. Optimizmi te “Djalli” nuk mungon.
Dëshira e përbashkët është që të zgjatet bashkëpunimi, “gardiani” 22-vjeçar është një tifoz i skuadrës ku luan, por në fund të sezonit del lojtar i lirë dhe akordi duhet të vijë shpejt.
Gjithçka ka ngecur te rroga. Donnarumma përfiton aktualisht rreth 6 milion euro në sezon. Milani i ofron 7.5 milion për pesë vitet e ardhshme, por agjenti Mino Raiola pretendon 10 milion dhe një kontratë 2-vjeçare.
Walter Zenga, ish-portieri i njohur i “kushërinjve” të Interit, ka një këshillë për titullarin e kombëtares italiane. “Nëse do të luaja te Milani, Interi apo Juventusi, atëherë do të mendoja se jam pjesë e një klubi të madh, do të isha në majë.
Është tjetër diskutim nëse bëhet fjalë për të provuar një aventurë jashtë Italisë. Ama, nëse do të isha pjesë e Milanit, do të më kalonte në kokë vetëm një ide: ajo e mbylljes së karrierës te kuqezinjtë“, deklaron ish-portieri italian. /abcnews.al