Duket sikur është rikthyer qetësia mes Lazios dhe Luis Albertos, por Milani nuk dorëzohet. Fantazisti spanjoll është një nga objektivat e kuqezinjve, të cilët e shohin 28-vjeçarin si zëvendësuesin perfekt të turkut Calhanoglu.
Luis Alberto refuzoi disa ditë më parë t’i nënshtrohej kontrolleve mjekësore përpara fillimit të fazës përgatitore, duke dhënë sinjale të qarta që dëshiron të provojë një aventurë të re pas pesë viteve të kaluara në “Olimpico”.
Kërcënimi i drejtuesve të klubit kryeqytetas dha efekt, lojtari iberik është vendosur nën urdhrat e Maurizio Sarrit dhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje. Gjithsesi, mediet italiane shkruajnë se “mbreti” i asisteve nuk ka hequr dorë nga dëshira për t’u larguar.
Presidenti Lotito kërkon 40-50 milion euro për ta lënë të lirë, shumë që Milani e ka të pamundur ta paguajë të plotë. Në kushte të tilla, dyshja Maldini-Massara janë përqendruar te shkëmbimet.
Lazios i është propozuar të zgjedhë dy lojtarë mes Rafael Leao, Mattia Caldara dhe Samuel Castillejo. I pari pëlqehet shumë nga Sarri, i cili e cilëson 22-vjeçarin portugez të duhurin për skemat e tij, por klubi bardhekaltër ka një tjetër preferencë: Alexis Saelemaekers.
Belgu i krahut të djathtë, vlerësohet shumë edhe nga trajneri Stefano Pioli, por Milani mund të vendosë ta sakrifikojë për të mbërritur tek akordi në lidhje me Luis Alberton, aq shumë i dëshiruar nga nënkampionët e Italisë. /abcnews.al