Sezoni mbetet negativ. Nuk mjafton një fitore, sado e thellë, për të ndryshuar opinionin e tifozëve dhe të analistëve, ndërsa Milani ende rrezikon të mbetet me gisht në gojë.
Skuadra e madhe italiane, 19 herë kampione e vendit dhe 7 herë fituese e Championsit, më në fund dha shenja jete duke triumfuar 4-0 në fushën e Udinezes.
Një shfaqje nga Rafael Leao, sepse sulmuesi portugez luajti vërtet në nivel shumë të lartë, duke shënuar, asistuar dhe ndihmuar ekipin.
Natyrisht, trajneri Serzhio Konseisao vazhdon t’i ketë pozitat të lëkundura, por drejtuesit për momentin duan qetësi dhe përpjekje maksimale për të arritur Championsin.
Leao shënoi golin e parë tre minuta para pushimit, ndërsa në pjesën e dytë rrjetat erdhën radhazi nga Pavlovic, Teo Hernandez dhe I zakonshmi holandez, Reijnders.
Mbrëmje e vështirë për portierin Menja, pasi francezi u vërshëllye rëndshëm, madje edhe u ofendua, ndërsa në minutën e 55-të u dëmtua në kokë, por për fat pa pasoja të rënda.
Vetëm në këtë moment për të mbërritën duartrokitjet.
“Një Milan që të frikëson, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – shënon 4 gola në Udine! Menja në spital! Ky është një tjetër “Diall”!
“Tre minuta Milan, – shkruan disi me qortim “Il Korriere delo Sport”, – Dueti Leao-Pavloviç shemb Udinezen! Konseisao do Ligën e Europës”!
Fitore e merituar, por e përsërisim, sezoni është për t’u harruar, edhe pse është fituar Superkupa e Italisë.
Kuqezinjtë janë eliminuar nga Championsi, ndonëse janë ende në gjysmëfinale të Kupës italiane, ndërsa në Serinë A janë në vend të 9-të.
Milani ka 51 pikë pas 32 javësh, dhe kur mbeten 6 javë deri në përfundim duhet të rikuperojë diferencën ndaj rivalëve si Bolonja, Juventusi apo Lacio, që kanë një ndeshje më pak të luajtur.