Ka të drejtë “La Gazeta delo Sport”: Ky Milan mund të ëndërrojë! Skuadra e madhe italiane dhe europiane më në fund u kthye ajo e dikurshmja, e sidomos në një provë nga ato që janë për titull dhe tani është e para në renditje.
Për 60 minuta ishte më lart se Napoli në duelin e Serisë A në “San Siro”, ndërsa në gjysmë orën e mbetur përballoi inferioritetin numerik përballë kampionëve në fuqi.
Sa shumë ujë ka rrjedhur që nga kriza e pranverës e nga dyshimet e verës, deri në triumfet e shtatorit! Skuadra e trajnerit Masimiliano Alegri bëri nisjen e duhur, duke shënuar në 3’ me anë të Aleks Selemekersit, ndërsa në 31’ goditi I zakonshmi Kristian Pulishiç, ai që asistoi rrjetën e parë.
Gjithsesi, nuk ishte e lehtë, sepse Napoli I Kontes nuk dorëzohet kurrë, ndërsa në 57’ thuajse u shkatërrua gjithçka. Estupinjan shkaktoi penallti e pastaj mori karton të kuq.
De Brujne shënoi dhe Milani u mbyll në portë për 30 minuta të gjata. Shikoni shifrat: Napoli bëri në total 19 gjuajtje, 7 në kuadrat dhe pati 7 goditje këndi!
Milani arriti vetëm 6 gjuajtje, vetëm 3 në portë dhe vetëm një goditje nga këndi! Në fund, vlen rezultati, ndërsa lombardët kishin dy vjet që nuk mbanin vendin e parë në kampionat.
“Milan prej luanësh”, – është titulli I të përditshmes “La Gazeta delo Sport”, që komenton se “djalli” rezistoi me 10 lojtarë, ndërsa trajneri Alegri deklaroi me bindje se nëse luhet kështu, do të arrihen shumë fitore.
“Il Korriere delo Sport” shkruan se Milani e Roma mbërritën Napolin, se Alegri ndaloi Konten, dhe se për titull janë edhe “Maks” e “Gasp”, pra Alegri i Milanit dhe Gasperini I Romës.
Tepër I ngjeshur kreu I Serisë A me tre ekipe me nga 12 pikë, Milani, Napoli e Roma, Juventus ka 11, ndërsa Inter, Atalanta e Kremoneze nga 9./abcnews.al

