Nuk ishte një triumf I madh apo një dominim.
Milani vuajti shumë ndaj Romës, edhe pse luajti përpara tifozëve të tij në “San Siro”, por gjithsesi sukses 1-0 po cilësohet në Itali si një provë e një ekipi që e pretendon seriozisht titullin.
Në një sfidë të dy filozofive të ndryshme fitoi stili pragmatik, tipit tradicional italian I trajnerit Masimiliano Alegri, përballë futbollit sulmues, me “aromë spanjolle” të Xhampiero Gasperinit.
Mjaftoi rrjeta e shënuar nga mbrojtësi serb, Pavlovic, krijuar nga Leao, ndërsa vendasit krijuan shumë raste e duhej të kishin realizuar më shumë, veçse thuajse gjithçka erdhi pas thyerjes së aksioneve të Romës.
Statistikat flasin qartë, me miqtë që mbajtën topin 61 për qind, me gjuajtjet që ishin njësoj, dhe me skuadrën kryeqytetase që luajti më mirë në gjysmë orën e parë.
“La Gazeta delo Sport” e sintetizon gjithçka në një fjalë: StraMilan”, që do të thotë “StërMilan” apo “SuperMilan”: Spektakël me gola të humbur në “San Siro”!
“Il Korriere delo Sport” e thotë në spanjisht: Muço skudeto, që do të thotë “shumë garë për titull”, pasi 4 ekipe në krye ndahen vetëm nga një pikë.
Tashmë, Interi e Milani janë vetëm një pikë prapa Napolit, pasi kampionët e Antonio Kontes kanë 22 pikë, dhe dy skuadrat nga Lombardia nga 21./abcnews.al

