Milan kthehet “djall”/ Inter humb shansin për fitoren e tre trofeve këtë sezon

schedule12:35 - 24 Prill, 2025

schedule 12:35 - 24 Prill, 2025

Ja pra që as nuk vlen fare klasifikimi. Kur luhet një derbi, edhe nëse je duke vdekur, siç po I ndodh Milanit në Serinë A, papritur mund të kthehesh në superfuqi.

Kuqezinjtë e trajnerit Serzhio Konseisao, të kritikuar tej mase këtë sezon, realizuan një nga fitoret më të mëdha në histori në përballjet me Interin.

Rezultati 3-0 jo vetëm I dha derbin, por edhe i siguroi Milanit finalen e Kupës së Italisë. Do të thotë mundësi për trofe, kur thuajse nuk shpresohej, si dhe për pjesëmarrje në kupat kontinentale, ndonëse vetëm në Ligën e Europës, jo në Champions. Sidoqoftë, tifozët e shijuan.

Shtatë herë kampionët e Europës shënuan gol kundër rrjedhës së lojës, ndërsa ishte Interi që po sulmonte dhe krijonte raste.

Heroi ishte Luka Joviç, sulmuesi I Serbisë që ndoshta mund ta kemi përballë në 7 qershor në “Arenën Kombëtare” për Kupën e Botës.

Ish-ylli I Frankfurtit dhe Realit, shënoi dy golat e parë në minutat 36 e 50. Holandezi Reijnders shtoi të tretin pranë fundit.

“Vetëm Milani, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – stërfitore në derbi, shkon në finale të Kupës! Shembet Interi, lamtumirë tripletë!”

Ja edhe “Il Korriere delo Sport”: Milan padron, Inter I shkatërruar! Kupa e Italisë, Konseisao në finale, 3-0 ndaj Inzagit!”

Simone Inzagi këtë herë bëri pak rotacion tek zikaltërit, dhe Kristian Asllani ishte titullar, ashtu si portieri Martinez, e pastaj Bisek e Taremi.

Mesfushori I kombëtares shqiptare mori vlerësime jo të mira, por pak a shumë si gjithë skuadra.

“Eurosport” I dha notën 5.5, me vlerësim për ndërhyrje ndaj Leaos, por kritikë për ngadalësi dhe më pak vizion se Çalhanoglu.

“Skaj Sport” gjithashtu I dha notën 5.5, që ishte pak a shumë mesatarja e Interit.

“Gol.kom” ia ul vlerësimin në 5, duke theksuar se kjo ishte një mundësi e humbur për shqiptarin, ashtu si edhe për Taremin.

“Sport Mediaset” ka notë të ulët, 5, duke komentuar se Asllani luajti mirë përsa kohë që situata ishte e qetë, por humbi kur u pësuan golat!

Duke u kthyer tek derbi, Interi humbi mundësinë për të fituar tre trofe këtë sezon, dhe mbetet të luftojë në Serinë A dhe në Champions.

Momenti negativ u konfirmua, pas humbjes në Bolonjë, dhe nuk dihet nëse kampionët e Italisë do të kenë energji për të reaguar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!