Nuk ishte e lehtë, por çfarë mund të presësh kur luan në një nga pesë ligat më të forta në botë? Milani ia doli me shifrat 2-1 ndaj Fiorentinës, madje me përmbysje, dhe u ngjit në krye të renditjes së Serisë A.
Skuadra kuqezi, me Masimiliano Alegrin në stol dhe Igli Taren në udhëheqje si drejtor sportiv, vazhdon të bindë me rezultate, dhe po ashtu vlerësohet edhe në lojë. Pavarësisht se miqtë nga Firence shënuan të parët në “San Siro”, duke shtangur mbi 70 000 spektatorët e pranishëm, Milani gjeti forca për përmbysjen.
Pas rrjetës nga gjermani Robin Gosens, në “katedër” u ngjit Rafael Leao. Sulmuesi portugez, i vlerësuar lart për talentin, por shpesh I kritikuar për mentalitetin, këtë herë ishte njeriu që shpëtoi të vetët.
Realizoi në minutat 63 e 86, herën e dytë me penallti, pra tri pikët u siguruan thuajse në fund. Milani u ngjit në krye të Serisë A për herë të parë që nga sezoni 2023-2024, ndërsa Leao u zhbllokua në “San Siro” pas plot 512 ditëve.
Kuptohet qartë se po ndodh një ndryshim i madh, dhe kuqezinjtë kanë avantazhin që nuk luajnë në Champions e në Europë, ndryshe nga rivalët. Skuadra e Alegrit është në vend të parë më 16 pikë, ndaj 15 të Interit, Romës e Napolit./abcnews.al

