Milan arriti të regjistrojë ditën e djeshme transferimin e 6-të për këtë merkato vere, teksa arritën të siguronin shërbimet e “bomberit” zviceran, Noah Okafor, nga austriakët e Salzburg për shifrën e 14 milionë eurove.
Pas nënshkrimit të kontratës, 23-vjeçari tha dhe disa fjalë për kanalet zyrtare të klubit, nga ku theksoi se ka qenë që në fëmijëri tifoz i “kuqezinjve” të Milan, si dhe e konsideron një nder që arriti të veshë fanellën e italianëve.
“Milan ka qenë gjithmonë ëndrra ime dhe nuk po e them këtë vetëm për shkak të transferimit, por ky klub përfaqëson realizimin e ëndrrës time. Kur isha i vogël admiroja lojtarë si, Kaka dhe Ronaldinho duke luajtur me këtë fanellë dhe vitin e kaluar kisha kënaqësinë e madhe të luaja kundër Milan në “San Siro”, duke veshur fanellën e Salzburg.
Për ne rezultati në atë kohë ishte një katastrofë, por përvoja e ndjenjës së forcës në stadium ishte e pabesueshme. Unë personalisht e kam përjetuar këtë pasion të tifozëve kuqezi dhe jam magjepsur prej tyre. Gjithashtu, kur shënova kundër Milan vitin e kaluar, atë natë bisedova edhe me Rafael Leaon.
Mezi pres të takoj bashkëlojtarët e mi të rinj, trajnerin, të gjithë stafin, drejtorët dhe të gjithë anëtarët e klubit. Mezi pres të ndjej entuziazmin dhe pasionin e tifozëve. Unë dua ta ndihmoj Milan-in të shkruajë histori të veçanta dhe të fitojë. Faleminderit që më lejuat të jem këtu”,- u shpreh “bomberi” zviceran. /i.m /abcnews.al