Milan jeton “ferrin”/ Humbja e tretë radhazi në Serie A, Lazio feston 2-1 në “San Siro”

schedule13:55 - 3 Mars, 2025

schedule 13:55 - 3 Mars, 2025

Ai që ishte një sezon zhgënjyes, është shumë pranë të qënit një dështim, pse jo një dramë e vërtetë. Milan mori një tjetër goditje të rëndë në Serie A, duke u mundur në shtëpinë e tij 2-1 nga Lazio.

Kjo ishte disfata e tretë radhazi për skuadrën kuqezi, e zhytur në një krizë të vërtetë, e kontestuar nga tifozët e saj dhe kryqëzuar nga kritikat e mediave italiane.

Shpresat e milanistëve për një rezultat pozitiv nisën të zbehen që në aksionet e para, ku Lazio iu afrua në disa raste golit të epërsisë, derisa e gjeti atë në minutën e 28-të.

Zakanji ndali topin në rrjetë për të vendosur edhe fatin e pjesës së parë. Problemet e formacionit të Serxho Konseisao u shtuan pas pushimit. Në minutën e 67-të, të zotët e shtëpisë mbetën me dhjetë lojtarë në fushën e lojës, pas kartonit të kuq të Pavloviç.

Megjithëse me forca më të pakta, kuqezinjtë arritën të shfaqnin një reagim krenarie, që solli edhe barazimin me Çukueze në minutën e 84-rt.

Një pikë do  të ishte pozitive për mënyrën se si shkoi sfida, por kjo nuk do të ndodhte. Mbrëmja e errët e Milan do të plotësohej në shtesë, kur Menjo i dhuroi rivalëve një 11 metërsh.

Pedro goditi saktë nga pika e penalltisë për festën e Lazio dhe dramën e kuqezinjve, që po jetojnë një ferr të vërtetë në këtë sezon.

Me këtë humbje, Milan shuan edhe shpresën e fundit për një biletë në Champions League sezonin e ardhshëm, duke zbritur në vendin e tetë me 41 pikë pas 27 javëve në Serinë A. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!