Milan i “gjymtuar”, Pioli mendon “bomberin” e akademisë për sfidën ndaj Fiorentina

schedule10:56 - 16 Nëntor, 2023

schedule 10:56 - 16 Nëntor, 2023

Përveç krizës së rezultateve, tashmë “gjigantët” italianë të futbollit, duhet të përballen edhe me krizën e dëmtimeve. Bëhet fjalë për “kuqezinjtë” e Milan, të cilët prej 4 javësh tashmë nuk po njohin fitore në Serie A dhe kjo “vuajtje” mund të vazhdojë akoma, kjo për shkak të dy mungesave të mëdha, që “Djajtë” e Milanos do të kenë në sfidën e ardhshme ndaj “violëve” të Fiorentina.

Tekniku Stefano Pioli, nuk do të ketë në gatishmëri për sfidën e progaramuar të zhvillohet mbrëmjen e 25 nëntorit në “San Siro”, dyshen e sulmit, Rafael Leao e Olivier Giroud, të dy protagonistët absolut të kësaj skuadre. “Luzitani” i krahut të majtë u dëmtuar në sfidën e “Via del Mare”, ndaj Lecce-s së Ylber Ramadanit, ndërsa “veterani” francez i sulmit u ndëshkua po në atë ndeshje me kartonin e kuq, duke lënë “thatë” për përballjen e radhës, “strategun” italian.

Në të tilla rrethana, Pioli pritet ta nisë sfidën me “tridentin” e sulmit, Chukwueze-Okafor-Pulisic, si në fitoren e thellë, 3 me 1, në transfertën e 27 shtatorit, ndaj Cagliari. Mirëpo, ky nuk është opsioni i vetëm, pasi në vend të zviceranit, Noah Okafor, tekniku italian mund të përdorë dhe “bomberin” serb, Luka Jovic.

Mirëpo, emrat e lartpërmendur nuk janë të vetmit opsione për sulmin e “Djajve”, pasi në “Milanello”, stafi teknik ka nisur punën me lojtarët e pagrumbulluar për sfidat e nëntorit, të Kombëtares dhe një nga këta lojtarë të mbetur në kampin stërvitor është edhe Franesco Camarda

Ende pa i mbushur 16-vjeçar, “bomberi” italian krahasohet me fituesin e “Topit të Artë”, të vitit 2022, Karim Benzema, kjo edhe për faktin, se mban në dorë të njëjtën model fashoje si “ylli” francez. Përsa i përket golave, Camarda ka zhvilluar deri më tani plot 13 përballje me skuadrën e U19-vjeçarëve, teksa ka arritur të shënojë plot 7 gola dhe të regjistrojë 1 asistim.

Në rast debutimi, me 15 vitet e 252 ditë mbi supe ai do të vendoste një rekord të ri te “Djajtë” e Milanos për sa i përket lojtarit më të ri që ka luajtur një ndeshje zyrtare në Serie A me fanellën “kuqezi” dhe nuk do të kishte më mirë, nëse “aventura” e tij me “ekipin e zemrës” do të niste me një gol, ndaj “violëve” të Fiorentina, që mund t’i japë fund krizës së skuadrës nga Milano. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!