Ligji i futbollit u vërtetua sërish. Kush gabon ndëshkohet, dhe për fat të keq Interi i takoi ta bënte në derbi.
Fitoi Milani, minimalisht 1-0, në “San Siron” zikaltër, sepse sfida luhej në fushën e kundërshtarit, ndërsa për suksesin duhet falenderuar fati, portieri Mejna dhe amerikani Kristian Pulishiç.
Skuadra e trajnerit Kristian Kivu luajti një derbi të vërtetë, sulmoi më shumë dhe kërcënoi vazhdimisht.
Turam, Açerbi dhe Lautaro Martinez ishin pranë golit, e jo më kot u goditën dy shtylla, por topi nuk shkoi në rrjetë. Munguan disa milimetra saktësi, por merita kryesore ishte e portierit milanist, Menja, që padyshim ishte më i miri në fushë.
Kolegu I tij në krahun tjetër, Zomer, nuk u tregua në lartësinë e detyrës, dhe Pulishiç e ndëshkoi duke ndjekur aksionin si profesionist i vërtetë.
Padyshim, njëri nga më të mirët e këtij Milani. Kulmi, apo vula për sfidën qytetëse u vu në minutën e 74-ët, kur Menja u tregua sërish hero. Priti penalltinë nga Hakan Çalhanoglu, e dyta e humbur në karrierë nga ylli turk.
“La Gazeta delo Sport” komenton saktë, edhe pse kreun e vendit e ka për kombëtaren e tenisit që fitoi Kupën Dejvis: Delir I Milanit! Djalli, çfarë derbi! Interi gabon dhe paguan! “Il Corriere delo Sport” ka Romën si heroinë kryesore, që komandon Serinë A, ka edhe tenisin, ndërsa për derbin milanez ka vetëm një nëntitull: Milan, derbi dhe minus 2 nga kreu!
Interi bëri më shumë, me 64 për qind mbajtje topi, me 16 gjuajtje ndaj 8 të kuqezinjve, me kornet 9-1, ndonëse gjuajtjet në portë ishin vetëm 5-3. Është Roma që kryeson për momentin Serinë A me 27 pikë, dy pikë pas saj janë Milan e Napoli kampion, Interi ka 24 po aq sa Bolonja. Një betejë shumë e fortë për titull këtë sezon.

