Mbi 55 mijë vizitorë kanë kaluar portat e Kështjellës “Argjiro” vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, duke e konfirmuar këtë monument si një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në Gjirokastër.
Shifrat e publikuara nga institucionet vendore tregojnë një rritje prej rreth 10 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar një interes në rritje të vizitorëve vendas dhe të huaj për trashëgiminë historike të qytetit muze.
Së shpejti pritet të nisin edhe ndërhyrjet restauruese në fasadat e kalasë, si dhe pastrimi i bimësisë që, sipas specialistëve, ka dëmtuar në disa pjesë strukturën e bedenave.
Kështjella “Argjiro” konsiderohet monumenti më i rëndësishëm historiko-kulturor në vend dhe një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Prej vitesh ajo renditet ndër atraksionet më të vizituara në Shqipëri, ndërsa vetëm vitin e kaluar ka regjistruar rreth 307 mijë turistë vendas dhe të huaj.
Sipas të dhënave të sektorit të turizmit, interesin më të madh për këtë destinacion historik këtë vit e kanë shfaqur vizitorët nga Franca dhe Gjermania, të cilët kryesojnë flukset e turistëve të huaj në këtë monument./abcnews.al


