Mijëra të vdekur nga përmbytjet në Derna, protestuesit i vënë zjarrin shtëpisë së kryebashkiakut

schedule09:13 - 19 Shtator, 2023

schedule 09:13 - 19 Shtator, 2023

Qindra demonstrues në Derna shprehën ditën e djeshme zemërimin e tyre ndaj zyrtarëve të rajonit të tyre, duke kërkuar që ata të mbajnë përgjegjësi për pasojat shkatërruese të stuhisë Daniel, ku janë regjistruar mijëra të vdekur.

Qyteti në Libinë lindore pësoi dëme të mëdha pak ditë më parë për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga moti i keq dhe shembja e dy digave në zonën përreth. Lagje të tëra janë përmbytur, ndërsa konfuzioni ende mbizotëron për numrin e saktë të viktimave të tragjedisë.

Qyteti dikur i zhurmshëm tani i ngjan një peizazhi të bombarduar.

Ditën e djeshme, qindra banorë u mblodhën jashtë xhamisë së madhe të qytetit dhe mbajtën parulla kundër autoriteteve të Libisë lindore, parlamentit dhe presidentit të tij, Aguila Saleh.

“Populli kërkon rrëzimin e parlamentit”, “Aguila është armiku i Zotit” dhe “Gjaku i dëshmorëve nuk u derdh kot” por edhe “Ata që vodhën apo tradhtuan duhet të varen”, ishin disa nga këto slogane.

Më vonë pasdite, protestuesit e zemëruar i vunë zjarrin shtëpisë së Abdulmenam al-Ghaithi, i cili shërbente si kryebashkiak i Dernës në kohën e përmbytjeve, tha zyrtari i zyrës së tij për Reuters.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!