Mijëra protestues dolën sërish në qendër të kryeqytetit serb, Beograd, të shtunën për të kërkuar anulimin e zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Protesta u thirr nga iniciativa civile joformale, ProGlas, e nisur nga figura të njohura publike.
Organizatorët thanë se kërkesa e ProGlasit është që brenda gjashtë muajve të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi, “pas procesit të ndryshimit rrënjësor të kushteve zgjedhore”.
Në Serbi janë mbajtur një varg protestash pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, të nxitura nga akuzat për vjedhje elektorale nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, e cila shpalli fitoren në të gjitha nivelet, raportuan mediat serbe.
Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” e akuzoi SNS-në për vjedhje zgjedhore dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve. Një ditë para protestës, më 29 dhjetor, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i Serbisë (KRZ) e hodhi poshtë kërkesën e koalicionit “Serbia kundër dhunës” për anulimin e zgjedhjeve.