Mijatoviç kundër paketës antishpifje, raporteri Lega: Do bllokojë negociatat e Shqipërisë me BE

schedule17:10 - 17 Dhjetor, 2019

schedule 17:10 - 17 Dhjetor, 2019

Një ditë para se dy projektligjet për median, propozuar nga qeveria të kalojnë në parlament, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Europës, Dunja Mijatoviç shpreh shqetësimin në një postim në rrjetet sociale, për faktin se Parlamenti Shqiptar vijoi shqyrtimin e dy projektligjeve të njohura si paketa e antishpifjes. Sipas saj paketa antishpifje nuk është në përputhje me standardet Europiane të të drejtave të njeriut, të cilat mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias dhe thotë se duhet të mbetet një forum për publikun, ndërsa si opsion sheh vetërregullimin nga vetë media.

“Jam veçanërisht e shqetësuar për kompetencat që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të tepërta dhe bllokimi i faqeve të mediave online pa një vendim gjykate, si dhe futja e rregullimit shtetëror të mediave në internet, çka mund të sjellë një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend. Ka rëndësi shumë të madhe që internet të mbetet një forum i hapur dhe publik dhe që vetërregullimi të bëhet nga media, përfshi mediat online”, u shpreh ajo.

Mijatovic nxit deputetet të rishikojnë draftet e t’i sjellin në një linjë me çështjet ligjore të Gjykatave Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardet e Këshillit të Europës.

Këtë të martë ka reaguar edhe raporteri për Shqipërinë i Parlamentit Europian, David Lega. Në një postim në Twitter, eurodeputeti i PPE, shkruan se kjo do ndikojë në procesin negociues të vendit, por edhe kryesimin e OSBE-së.

“Nëse Parlamenti shqiptar, miraton ligjin e ri për mediat, do rrezikohej kompromentimi i kryesimit të OSBE nga Shqipëria. Kjo do komplikonte gjithashtu negociatat e antarësimit me BE. Rezistenca e fortë nga Partia Demokratike gjithashtu është e mirëpritur”, shkruan ai./abcnews.al