Migrena, sëmundja kronike që prek 40 milionë europianë  

schedule11:38 - 17 Prill, 2023

schedule 11:38 - 17 Prill, 2023

Nga Paula Soler, euobserver

Dhimbje intensive, të përziera, vështirësi në të menduar dhe në të parë, ose marramendje janë disa nga simptomat që lidhen me migrenën dhe që prekin më shumë se 40 milionë të rritur në Europë, ose një në shtatë punëtorë.

Jetët e tyre janë komprometuar plotësisht. Ata kanë frikë nga dhimbja e radhës, të cilin nuk e dinë kurrë se kur do të vijë, dhe nuk ka asnjë kurë të njohur  megjithëse ka parandalim dhe trajtim.

Pavarësisht besimit të përhapur se është “thjesht një dhimbje koke”, migrena është në të vërtetë një çrregullim neurologjik kronik, sulmet e të cilit mund të zgjasin nga katër orë deri në tre ditë.

Migrena është teknikisht një sëmundje neurologjike gjenetike dhe më së shumti godet njerëzit në moshë pune dhe përveç kostos personale, ka edhe një dëm ekonomik.

Duke llogaritur kostot direkte dhe indirekte përsa i përket produktivitetit të humbur dhe mungesave, kostoja ekonomike arrin në 95 miliardë euro çdo vit, raporton abcnews.al.

Megjithatë, më shumë se katër në dhjetë punëtorë me migrenë ndihen të lënë pas dore në mjedisin e tyre të punës dhe 11 për qind janë pushuar nga puna për shkak të migrenës, sipas një sondazhi të kryer nga Aleanca Europiane për Migrenë dhe Dhimbje Koke (EMHA) në 2018 .

“Në vitet e fundit, opinioni publik dhe politik nuk ka bërë asnjë përparim,” tha drejtoresha ekzekutive e EMHA Elena Ruiz de la Torre për EUobserver.

Në nivel të BE-së, ende nuk ka njohje të sëmundjeve neurologjike (të cilat përfshijnë migrenën). Njohja si gjendje kronike dhe aftësi e kufizuar në ligjin e BE-së do të përmirësonte mbrojtjen dhe përfitimin e punëtorëve në të gjitha shtetet anëtare.

“BE duhet të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe heqjen e stigmës se migrena është një pretekst për të mos punuar, ose një dhimbje koke e thjeshtë, dhe gjithashtu t’i njohë njësoj si sëmundjet e tjera,” shtoi ajo.

Ndonëse është e vërtetë se barra e kompetencës për çështjet e punës dhe shëndetësisë i takon kryesisht shteteve anëtare, institucionet europiane mund të luajnë një rol kyç.

Veçanërisht në “vendosjen e objektivave të përbashkëta, miratimin e ligjeve, dhënien e udhëzimeve, ndihmën për zbatimin dhe vendosjen e standardeve minimale për të përmirësuar praktikën e mirë”, sipas një studimi nga instituti Work Foundation.

“Shërimi nuk dihet ende, dhe ne ende nuk shohim mbështetje të mjaftueshme financiare për kërkime,” tha Ruiz de la Torre.

Në një analizë të Harvard Business Review, neurologja Olivia Begasse renditi tre strategjitë më efektive për krijimin e vendeve të punës miqësore për migrenën: edukimin, menaxhimin dhe një mjedis mbështetës.

Mirëkuptimi midis menaxherëve, kolegëve dhe punonjësve që vuajnë nga  migrena shoqërohet me një rritje prej 29-36 për qind të produktivitetit, sipas raportit.

Parandalimi dhe menaxhimi më i mirë nga punëdhënësit çoi në një ulje të mungesave që lidhen me migrenën dhe një rritje të produktivitetit të punëtorëve me migrenë, raporton abcnews.al

Përmirësimi i kushteve të punës për këta punonjës do të kërkojë një sërë qasjesh ‘të vështira’ dhe ‘të buta’ dhe veprime të koordinuara në nivel kombëtar dhe europian duke përfshirë partnerët socialë dhe palët e interesuara, sipas një raporti.

/abcnews.al