Të paktën 6 persona kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara për shkak të Uraganit “Majkëll”. Stuhia e kategorisë katër, solli shkatërrim në brigjet e Floridës, por edhe të shumë shteteve të tjera amerikane.
Ai shkatërroi qytete të tëra përgjatë brigjeve të Floridës, Uragani Michael, një nga stuhitë më të fuqishme që kanë goditur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara, dhe zbriti në tokë në kategorinë katër, me erëra në 250 kilometra në orë. Sipas Reuters, të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën, por autoritetet besojnë se bilanci është i destinuar të përkeqësohet.
Mes viktimave është edhe një vajzë 11 vjeç, e cila humbi jetën pasi çatia e shtëpia u shemb në Xhorxha. Imazhet televizive dhe ato të publikuara në rrjetet sociale tregojnë shtëpi të shkatërruara, varka të dëmtuara, pemë të rrëzuara dhe kavo të energjisë elektrike të këputura. Mbi 1 milionë banorë kanë mbetur pa energji elektrike në Florida, Xhorxha, Virxhinia dhe në Karolinën e Jugut e të Veriut.
Ndërkohë, dëmet materiale janë të pallogaritshme. Kreu i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, e krahasoi qytetin “Mexico Beach” ku fillimisht uragani preku tokën, me “ground zero” për shkak të shkatërrimit.
“Është njësoj sikur një bombë atomike të ketë goditur qytetin tonë”, thotë një banor.
“Uragani ishte një përbindësh i vërtetë, ka prishur jetët e shumë personave”, është shprehur guvernatori i Floridës, Rick Scott.
“Qytetarë të shumtë kanë humbur shtëpitë, bizneset. Rrugët janë shkatërruar”, shtoi më tej ai.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka aprovuar fondet e emergjencës për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve nga Uragani./abcnews.al