Të paktën 18 viktima, me qindra persona të zhdukur dhe dëme materiale prej miliarda dollarësh, është ky bilanci tragjik por ende i përkohshëm i pasojave të uraganit “Majkëll” në Florida dhe Xhorxhia të Shteteve te Bashkuara të Amerikës.
Rëndohet bilanci i viktimave pas kalimit të uraganit “Majkëll” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas CNN, viktimat janë të paktën 18, tetë prej tyre në Florida dhe pesë në Virxhinia. Por bilanci tragjik mund të rëndohet në orët në vijim sipas autoriteteve.
Më shumë se një million persona janë ende pa energji elektrike dhe ndërhyrja e shpejtë nuk ka mundur të shkojë në disa qytete të shteteve të prekura. Në Florida lagje të tëra janë përmbytur, ndërsa banorët kanë nisur të kërkojnë vetë të afërmit që rezultojnë të zhdukur.
Skuadrat e shpëtimit që pengohen nga ndërprerjet e energjisë elektrike por dhe mungesa e sinjalit telefonik, po përdorin qenë dhe dronë në kërkim të qindra personave që rezultojnë të zhdukur. Në plazhin e “Meksiko Beach” në Florida askush nuk mund të japë numrin e saktë të personave që janë larguar.
Sipas autoriteteve amerikane uragani Majkëll është më i ashpri i 25 viteve të fundit. Në Panama Siti janë evakuar dy spitale, ndërkohë që guvernatori i Floridas u shpreh se shtëpi, biznese dhe rrugë të tëra janë shkatërruar. Presidenti amerikan Donald Tramp ka miratuar fondin e emergjencës për zonat e prekura./abcnews.al