Michael Ngoo ndryshe: Izolimi më ka stresuar, do e sjell Sterling në Shqipëri

schedule17:43 - 31 Mars, 2020

schedule 17:43 - 31 Mars, 2020

Sulmuesi i Tiranës, Michael Ngoo, është një personazh shumë karizmatik, me batutat që i ka gjithmonë në majë të gjuhës dhe shumë i shkathët në deklaratat e tij. Gazmor, ironik, serioz kur duhet dhe e qeshura nuk mungon asnjëherë: Ky është Michael Ngoo në daljet e tij publike.

Sot, me kapele veshur dhe me fanellën e Miami Heats, sulmuesi anglez dha një intervistë për Fan Zone në Supersport, aty ku tha shumë gjëra interesante rreth jetës së tij aktuale, si dhe ka një premtim për futbolldashësit shqiptare, pasi në verë mund të sjellë Raheem Sterling në Shqipëri.

“Jam i stresuar, sepse izolimi ka bllokuar futbollin, të qëndrosh në shtëpi mërzitesh. Po, jam në Tiranë, kanë mbyllur aeroportet dhe nuk mund të shkoj dot në Londër. Jam më i sigurt në Shqipëri? Respekt për Shqipërinë (qesh).

Videot në Instagram? Çfarë nuk ndodh në karantinë, fillon i këndon edhe vetes tënde. Kam dëgjuar edhe shumë muzikë shqiptare, keni shumë muzikë të bukur.

Më mungon futbolli, jam i sigurt se të gjithë lojtarëve iu mungon futbolli. Jam i bindur se të gjithë lojtarët do të jenë të uritur për tu rikthyer dhe kur të ri-futemi në fushë, do të dhurojmë të gjithë spektakël. Unë personalisht, nuk kam asnjë problem, ka fituar një eksperiencë dhe nga ana psikologjike jam i fortë. Për lojtarët e rinj, është situatë e vështirë.

Me trajnerin aktual kam shumë raporte të mira. Mema, është një njeri fantastik, kishte një filozofi loje dhe ne duhet të përshtateshim. Ndërsa me Egbo, jemi më të lirshëm, më kompakt, e shikoni dhe në ndeshjet që po luanim.

 

Do të jetë një “stuhi” kur të rikthehemi në fushë, nëse Tirana e fiton titullin, gjithçka e keqe do të harrohet, me tërmetet në Shqipëri, Koronavirusin dhe çdo gjë që ka ndodhur muajt e fundit. Te Tirana ndihem shumë i rëndësishëm dhe dua gjithmonë t’i jap fitoren Tiranës. Tifozët e meritojnë, Tirana është shumë e rëndësishme për futbollin shqiptar. Më ka marrë malli për Hasanin (qesh).

Tani jemi të gjithë në shtëpi, më përpara nuk ishim të detyruar të qëndronim në shtëpi. Prandaj dilja shumë (qesh). Sapo të mbarojë izolimi, do të hidhem në avion dhe do të bërtas: Jam i lirë!

I kam thënë Sterlingut të vijë shpesh në Shqipëri, por është shumë e vështirë, pasi Manchester City luan shumë ndeshje. Edhe kur nuk është me Cityn, është me kombëtaren e Anglisë, është shumë e vështirë. Ndoshta gjatë verës do ta sjell në Shqipëri.

 

Ngoo dhe Sterling me fanellën e Liverpool

Unë nuk kam flokë, do të shkoj në Turqi dhe do të mbjell. Atëherë do t’i lyej flokët bardheblu. Përderisa kam luajtur futboll dhe më ka ecur, nuk e kam menduar të ndërroj sport. Basketbolli më pëlqen, por jam thjesht tifoz. Jam tifoz i LA Lakers, gjithmonë do të jem”, përfundoi Michael Ngoo./abcnews.al

 

Ngoo në Fan Zone

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!