Mianmar: Shtohen thirrjet për lirimin e Aung San Suu Kyi

schedule12:11 - 2 Shkurt, 2021

schedule 12:11 - 2 Shkurt, 2021

Janë shtuar thirrjet ndërkombëtare për lirimin e lideres de fakto të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, një ditë pas një grusht shtetit ushtarak. Zonja Suu Kyi nuk është parë në publik që kur u arrestua nga ushtria të hënën.

Ushtria mori pushtetin pas shpalljes së një gjendje të jashtëzakonshme, duke akuzuar partinë e zonjës Suu Kyi për mashtrime në zgjedhje.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka kërcënuar se do të rivendosë sanksionet ndaj Mianmarit, duke thënë se ushtria nuk duhet të “shkelë vullnetin e njerëzve”. Sanksionet ishin lehtësuar, pasi ky vend filloi të dilte nga një diktaturë ushtarake dekada e gjatë.

Partia e zonjës Suu Kyi, Lidhja Kombëtare për Demokracinë (NLD), kërkoi lirimin e saj të menjëhershëm. NLD gjithashtu i bëri thirrje ushtrisë të pranojë rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit, të cilat kjo parti i fitoi me 80% të votave.

Ende nuk është bërë asnjë deklaratë zyrtare për vendndodhjen e saktë të zonjës Suu Kyi. Agjencia AFP, citon burime brenda NLD-së të kenë thënë se ajo dhe presidenti Win Myint po mbaheshin në arrest shtëpiak.

Ushtria ka arrestuar edhe shumë ligjvënës.

Një ditë pas grushtit të shtetit, ky vend është në një qetësi të brishtë. Në të gjitha qytetet kryesore patrullojnë trupat ushtarake. Sistemet e komunikimit të cilat ishin ndërprerë të hënën janë kthyer në funksion të martën në mëngjes.

Në rrugët e qytetit kryesor, Yangon, njerëzit thanë se e ndienin se beteja e tyre për demokracinë ishte humbur, transmeton BBC. Mianmari, i njohur gjithashtu si Burma, u drejtua nga forcat e armatosura deri në vitin 2011, kur reformat demokratike të drejtuara nga zonja Suu Kyi i dhanë fund sundimin ushtarak.

Grushti i shtetit ndodhi pas tensioneve në rritje në mes të qeverisë civile dhe ushtrisë, për shkak të zgjedhjeve kontestuese.

Vetë liderja Suu Kyi u ka bërë thirrje mbështetësve që “të mos pranojnë këtë” dhe “të protestojnë kundër puçit”.

Në një letër të shkruar teksa është përgatitur për ndalimin e saj, Suu Kyi ka thënë se veprimet e ushtrisë e kanë kthyer shtetin mbrapa nën diktaturë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!