“Mezani: S’i hiqet liria njerëzve pa shkak, shqiptarët të bëhen më të zgjuar

schedule18:09 - 27 Maj, 2020

schedule 18:09 - 27 Maj, 2020

Gentian Mezani ka kaluar një periudhë të vështirë. Trajneri i Gjilanit qëndroi i izoluar në një nga konviktet e Prishtinës, bashkë me disa prej lojtarëve të tij. Vlonjati nuk kursehet në prononcimin e dhënë për “Fan Zone” në Supersport, teksa konfirmon se “Skifterat” e tij, të cilët janë tre pikë larg Ballkanit kryesues, do të tentojnë titullin kampion.

KARANTINA – “Është e ekzagjeruar kjo që ndodhi, duke i hequr pavarësinë njerëzve. Është stresuese të mendosh që duhet të rrish i izoluar kur vjen nga një vend i pastër dhe nuk ke pasur kontakte me persona të infektuar. Futbollistët janë më të qetë se janë në shtëpitë e tyre. Aty ishte rreziku më i madh, sepse në një kat kishte 50-60 veta. Mund të vinin njerëz pozitivë, të cilët nuk ishin testuar më parë dhe mund të infektonin të tjerët.

Madje kanë dalë 2-3 raste. Mendonim se vetëm do testoheshim dhe në rast se do dilnim negativë, do të largoheshim. Por, këto ishin rregullat. Nëse unë dal negativ atëherë çfarë sensi ka të izolohem? Nuk mund t’i heqësh lirinë tjetrit pa asnjë arsye. Shqiptarët duhet të jenë më të zgjuar për këto situata. Të marrin shembull Evropën, jo Kinën komuniste”.

KAMPIONATI – “3-4 ndeshjet e para do të jenë të vështira, jo vetëm për ne, për të gjitha skuadrat. Problematika është edhe se nuk do të kemi miqësore, madje kemi pasur edhe sportistë që kanë qenë të izoluar dhe nuk janë stërvitur. Një sportist që nuk është stërvitur për dy muaj, është njeri i zakonshëm, nuk është më sportist”.

GJILANI – “Klubi bëri të pamundurën që ne të dilnim nga konvikti ku u karantinuam në Prishtinë, i konsumoi të gjitha energjitë. Terreni jashtë ishte shumë i mirë dhe mund të zhvillonim seanca stërvitore. E kemi bërë një kërkesë e tillë, por nuk u aprovua. Mendoj që do jemi 80% gati për rifillimin e kampionatit. Lojtarët në izolim me mua janë pesha e skuadrës. Synojmë titullin këtë vit dhe shpresoj të bëjmë hap pozitiv që në ndeshjen e parë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!