Mete te “Ekonomia”: Po monitorojmë ekspozimin e fondeve të investimit ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë

schedule11:00 - 10 Maj, 2022

schedule 11:00 - 10 Maj, 2022

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete gjatë prezantimit të raportit të veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2021 në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore përgjatë vitit të kaluar, si edhe parashtroi disa nga objektivat kryesore të Autoritetit për periudhën në vazhdim.

Ai tha se asetet e tregut të fondeve të investimeve pësuan rënie me rreth 1% në tremujor, kryesisht si pasojë e luhatshmërisë në tregjet ndërkombëtare për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë.

Edhe pse ekspozimi i fondeve tona të investimit ndaj këtyre tregjeve mbetet i kufizuar, situata po monitorohet në vijimësi nga Autoriteti, i cili ka miratuar edhe një udhëzim duke rekomanduar kujdes të shtuar nga shoqëritë administruese të fondeve dhe një sërë masash të tjera”, tha Mete.

Duke u ndalur te riformatimi i bazës ligjore e rregullatore, për të cilat Autoriteti mori vlerësime edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian, z. Mete nënvizoi se ligjet e reja kanë dhënë impakt në tregje. Ligji për sigurimin e detyrueshëm dhe rregulloret e miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij sollën rritje të vlerës së dëmshpërblimit për disa kategori dëmesh, si edhe reduktim të afateve për trajtimin e dëmeve me vlerë deri në 100 mijë lekë.

Janë adresuar problematikat lidhur me Fondin e Kompensimit, ku për herë të parë është krijuar një fond garancie, në vlerën prej 150 milionë lekë, për t’u përdorur për rastet e pagesave që shkojnë për Fond Kompensimi. Gjithashtu, janë ulur komisionet e ndërmjetësimit me të paktën 9%, nga 27.5% në 18.5% në nivel tregu për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!