“Meta takoi skutave subjektet e OFL-së”! Lleshaj: S’hyj thellë! Elbasani nuk kontrollohet nga bandat

schedule21:37 - 9 Tetor, 2020

schedule 21:37 - 9 Tetor, 2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i pyetur mbi akuzën e Edi Ramës se Ilir Meta takoi në skuta katundesh subjekte të OFL-së, u shpreh se “Nuk mund të hyj thellë në këtë temë, di këtë, që nuk kam asnjë gjë private. Dikush e di gjithmonë se çfarë bëj unë, sepse jam gjithë kohës i ruajtur” tha ai.

Partia Demokratike paditi pak ditë më parë në SPAK ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Gjendjes Civile, Bledar Doracaj me akuzën e manipulimit të listave të votuesve. Kjo nuk e shqetëson aspak Lleshajn.

Me padinë nuk kam interes të njihem. Kjo e padia e PD-së e sata është se kam fituar një lloj imuniteti. Kjo është një provë për të thënë se çfarë dëmi i kanë bërë interesit publik përmes shpërdorimit të fjalës, kjo mënyrë sjellje. Nuk më intereson padia e opozitës. Mund të më japin arsye për të bërë një kallëzim të rremë për PD-në, të pabazuar asgjëkundi” tha ai në RTSH.

Gjatë intervistës, Lleshaj komentoi edhe deklaratën e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela pak ditë më parë se Elbasani dhe Shqipëria nuk mund të kthehen në një model sicilian, referuar situatës nga kriminaliteti në këtë qytet për të cilin tha se është nën kontrollin e bandave. Por Lleshaj tha se Elbasani nuk kontrollohet nga bandat.

Situata e kriminalitetit në Elbasan është në nivele të shpjegueshme. Kriminaliteti gjen hapësira dhe penetron në disa qytete të caktuara. Elbasani ka trashëguar një situatë kriminaliteti por jo endemike. Situata e krimit është në rënie. 

Mos prisni të komentoj Prokurorin e Përgjithshëm. Deklarata e tij e fortë është. Unë dhe prokurori e shohim situatën nga këndvështrime të ndryshme. Ne kemi bashkëpunim. Nëse është Siçili nuk ka nevojë të pyesni as mua dhe as prokurorin, por të pyesnin qytetarët. Nuk është ajo Siçilia” tha ai.

Me karrigen e ministrit, thotë se nuk ka asnjë lidhje organike dhe e shikon si presion. “E konsideroj vetëm aq atipik në botë sa nuk ndjej presion. Me këtë karrigen e ministrit nuk kam asnjë lidhje organike. E ndjej karrigen si një barrë, jo sikur jam ulur unë por sikur e kam mbi shpinë.

Ndarja me të nuk është asgjë për mua, përveçse një liri në aspektin personal. Ata që e përdorin këtë, më motivojnë më shumë për të bërë detyrën time . Vetëm diktatura mund ta zerojë krimin, pasi e kontrollon vetë shteti” tha ai.

Në fund të intervistës, ministri kishte një kompliment për Edi Ramën. “Ishte fjalim (sot në asamble) i gjatë, e ndoqa deri në fund pa mërzi, mund të jetë komplimenti i parë që mund ti bëj publik. Nuk po e komentoj po them një përshtypje. Kanë qenë të gjithë me maskë, nuk dukej as qeshja dhe as mërzia. Roli im është roli i ministrit të Brendshëm. Ky është roli im politik. Do të thotë se është rol i rëndësishëm se duhet të bëj atë detyrë”./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!