Presidenti i Republikës Ilir Meta ka paralajmëruar në orën 17:00 të së mërkurës një konferencë për shtyp. Kjo dalje për mediat e Presidentit vjen një ditë pas takimit që pati një përfaqësi të Komisionit të Venecias të ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Presidenti Meta do të jetë i hapur për çdo pyetje dhe i gatshëm për të dhënë çdo përgjigje, në mënyrën më transparente”, thuhej në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës.
Një delegacion i Komisionit të Venecias erdhi në vendin tonë me kërkesë të Komisionit Hetimor Parlamentar që po heton për shkarkimin e Presidentit. “Venecia” pritet të japë opinionin e saj nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën me çdekretimin e datës 30 Qershor për zgjedhjet lokale më 11 Tetor.
Komisioni i Venecias arriti në Tiranë të hënën dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të mazhorancës, opozitës parlamentare dhe joparlamentare, kreun e Kuvendit, Presidentin, Ministrin e Brendshëm, Kryeministrin, anëtarët e KQZ-së dhe pritet që të zhvillojë takim me përfaqësues të shoqërisë civile.
Ndërkohë mësohet se paraditen e kësaj të mërkurë, Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me kreun e selisë blu, Lulzim Basha. Kriza politike në vend dhe iniciativa e kuvendit për shkarkimin e presidentit kanë qenë temë e bisedës mes Metës e Bashës. Takimi mes tyre ka zgjatur rreth 40 minuta./abcnews.al