Meta takim me banorët e Selenicës: Të ndërtohet rruga, po penalizohen nga korrupsioni

schedule14:11 - 18 Janar, 2021

schedule 14:11 - 18 Janar, 2021

Presidenti Ilir Meta ishte sot në Selenicë ku deklaroi se rruga duhet të ndërtohet menjëherë që banorët e kësaj zone të mos penalizohen nga arroganca, braktisja dhe korrupsioni.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale Meta shkruan se gjatë bisedës me banorë të Selenicës hasi në kërkesën e tyre për ndërtimin e kësaj rruge. Ai thotë se i ka informuar për përpjekjet e tij për të mos lejuar tallje me Selenicën.

“Mezi kisha pritur të vizitoja Selenicën, këtë qytet me pasuri natyrore të jashtëzakonshme, por të braktisur prej vitesh në mjerim e vuajtje, për të biseduar hapur, sy më sy, me kërkesë të tyre, me banorët e mrekullueshëm të saj.

Më njohën me problemet e shumta të përditshmërisë së tyre, nga mungesa e vendeve të punës, investimeve dhe shfrytëzimi pa kriter i tokave bujqësore nga biznesmenë të lidhur me pushtetin. Të gjithë ishin njëzëri në kërkesën kryesore, ndërtimin e rrugës.

I informova në detaje për të gjitha përpjekjet e mia të palodhura për ndërtimin pa vonesa të saj dhe për të mos lejuar më talljen me Selenicën, duke i garantuar se përherë do të jem në krahun e tyre. RRUGA E SELENICËS TË NDËRTOHET MENJËHERË dhe banorët e kësaj zone të mos penalizohen më nga arroganca, braktisja dhe korrupsioni“, shkruan Meta./mv.abcnews.al