Meta sheh për herë të parë Dhiatën e Re të përkthyer në shqip: Ka domethënie të madhe historike

schedule13:12 - 23 Nëntor, 2020

schedule 13:12 - 23 Nëntor, 2020

Presidenti Ilir Meta ka parë për herë të parë në origjinal, Dhiatën e Re, të përkthyer në shqip me gërma latine, në vitin 1872, nga Konstandin Kristoforidhi.

Në një postim në rrjetet sociale kreu i shtetit ka treguar përshtypjet e tij, ku thotë se ky libër pavarësisht se ka përmbajtje fetare ka një domethënie të madhe historike.

“Shumë i lumtur, që në bibliotekën e jashtëzakonshme të Manastirit të Shën Gjon Pagëzorit në Mbigur, të shihja për herë të parë në origjinal, Dhiatën e Re, të përkthyer në shqip me gërma latine, në vitin 1872, nga Konstandin Kristoforidhi, një nga figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare.

Ky libër, pavarësisht përmbajtjes fetare, ka një domethënie të madhe historike për ne shqiptarët, sepse është një pararendës i gjuhës letrare shqipe, që do të shkruhej me Alfabetin e njehsuar, të miratuar dekada më vonë në Kongresin e Manastirit.

E falënderova përzemërsisht vëllazërinë e murgjëve të këtij manastiri, që kujdeset për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore në rajon, pavarësisht përkatësisë kombëtare.

Mirënjohje për At Dositej, i cili më shoqëroi në këtë vizitë dhe në veçanti për faktin se e fliste shumë mirë gjuhën shqipe”, shkruan Meta.