Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të mjekut Dr.Hysni Shkjaut, viktima e dytë nga koronavirusi në radhët e bluzave të bardha.
Kreu i shtetit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se ndarja nga jeta e mjekut që shërbeu për 40 vite me përkushtim dhe profesionalizëm qytetarëve të Pukës, është një tjetër humbje e madhe për sistemin tonë shëndetësor.
Ndër të tjera Meta ka theksuar se shtimi i rasteve të reja me Covid në vendin tonë dhe numri i viktimave ditët e fundit është shqetësuese dhe duhet që autoritetet të zgjedhin një tjetër strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.
LEXO EDHE: Covid-19 shënon viktimën e dytë në radhët e bluzave të bardha, ndërron jetë mjeku i familjes
Postimi i plotë:
Ndarja nga jeta këtë mëngjes e Dr.Hysni Shkjaut, i cili për 40 vite u shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm qytetarëve të Pukës, është një tjetër humbje e madhe për sistemin tonë shëndetësor.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr.Shkjaut, kolegëve dhe mbarë komunitetit pukian!
Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.
Çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin dhe ekonominë.
Ndaj përsëris thirrjen e fortë për rëndësinë e rritjes së masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.
Është tepër i domosdoshëm forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve të bëra publike./abcnews.al