Meta pas takimit me Abazoviç: Duhet një përfaqësim më përfshirës i shqiptarëve

schedule12:50 - 16 Korrik, 2021

schedule 12:50 - 16 Korrik, 2021

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç.

Presidenti Meta ka përgëzuar Abazoviç për zhvillimet e  shënuara në Mal të Zi, veçanërisht në procesin e integrimit europian, ndërsa theksoi se bashkëpunimi i mirë midis dy vendeve duhet të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke pasur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Gjithashtu kreu i Shtetit shqiptar theksoi se partneriteti në NATO duhet të frymëzojë marrëdhënie më të ngushta dhe të afërta ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe se të dy qeveritë i kanë të gjitha mundësitë ta modelojnë këtë bashkëpunim në përçim të vlerave më të mira të aleancës.

Presidenti Meta apeloi për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi.

Gjatë takimit, Presidenti Meta i kushtoi vëmendje të veçantë disa projekteve konkrete në mbështetje të zonave ku banojnë shqiptarët, siç janë:  Hapja së shpejti e Pikës se Kalimit Kufitar në Grabon, mundësia e bashkëpunimit për hapjen e Pikës së Kalimit Kufitar Skejë – Zogaj, rindërtimi i i shkollës së djegur në fshatit Dacaj në Rozhajë, ura mbi lumin “Buna”, që do të lidhte Velipojën me Shtojin, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Plavë dhe Guci, konkretisht rregullimi i rrugës për në fshatin Hot në Plavë, hapja e disa pikave kufitare në këtë zonë si edhe në Ulqin, rregullimi i çështjes se shtetësive të shtetasve shqiptare të martuara në Mal të Zi, si dhe  punësimi i shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!