Meta paralajmëron bashkëpunimin me Sali Berishën: Edhe nga Zelanda e re të jetë “non grata”

schedule22:56 - 25 Korrik, 2022

schedule 22:56 - 25 Korrik, 2022

Ish-Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar bashkëpunim me Sali Berishës, pavarësisht shpalljes “non grata” të këtij të fundit nga SHBA dhe Britania e Madhe. Ai theksoi se protesta është zemra e demokracisë dhe duhet të jetë e përditshme nga të gjithë. Nga studio e emisionit “Open”, Meta deklaroi se PD e shikon si partneret kryesore, pasi e tillë është situata.

Ilir Meta: Si president e kam bërë luftën time çdo ditë, kam kthyer ligje, kam bërë denoncime me fakte. Për të gjitha ligjet korruptive për shumë prej tyre kam paditur por nuk ka pasur reagim. Ky është një proces që do të vijojë gjithmonë bazuar në prova e fakte, mos veprimi i prokurorisë rëndon situatën e tyre. Mekanizmi është referendumi. Me zgjedhje dhe protesta do të zhbllokohen të gjitha.

Keni një agjendë për protestat?

Ilir Meta: Protesta është zemra e demokracisë, duhet të jetë e përditshme dhe nga të gjithë, duhet të kthehet në ADN e demokracisë sonë. Nuk duhet të presim derisa t’i preket e drejta dhe prona dikujt.

Ka një koncept si do bëhet një gjë e tillë?

Ilir Meta: Kam nisur sot, kam marrë një përgjegjësi që do ta përmbush si gjithë të tjerat madje më mirë se kam edhe më shumë informacion dhe eksperiencë. Për bashkëpunimin do ta kemi me të gjithë që janë për referendumin dhe përmbysjen e regjimit oligarkik. Me të gjithë që janë për votën e lirë.

Berishën e shihni si partner?

Ilir Meta: E shoh PD si partneren kryesore se e tillë është situata. Derisa ishte zotëria tjetër, shqetësimet e mia i kam ngritur. PD është në një proces opozitarizmi që shpresoj ta përmbushë sa më mirë. Nuk i zgjedhim ne liderët e partive të tjera, do të respektojmë këdo që do të kontribuojë.

Mund të zgjidhni partnerët. Berisha “non grata”. Si ndikon kjo?

Meta: Edhe nga Zelanda e re të jetë “non grata” kjo nuk ka të bëjë me qëndrimin tim në parimet e demokracisë. Problemi im është që të shpallim “non grata” regjimin kleptokratik. Qëllimi i im është shqiptarët të mbretërojnë përmes referendumit. Rezoluta e fundit e BE thotë duhet miratuar ligji për të bërë referendumet.

“Non grata” ka marrë vëmendje, nga Britania dhe SHBA.

Meta: Nuk komentoj arsyet e një vendi tjetër, kanë arsyet e tyre, por nuk ka asnjë arsye për të mos respektuar vullnetin e anëtarëve të PD.

Aleanca me Berishën a vështirëson punën e opozitës së bashkuar?

Meta: Janë historitë dhe përrallat e Edi Ramës, “gratat” e “non gratat”, qëllimi është “non grata” e qeverisë kjo është kryesorja. Do bëhemi me çdo njeri që është për referendumin./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!