Meta në Elbasan: Erdha sepse u raportuan probleme, telefonova Sorecën! Dy gishtat? E ngre dhe grushtin

schedule10:14 - 25 Prill, 2021

schedule 10:14 - 25 Prill, 2021

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar për gazetarët se ka shkuar në Elbasan pasi janë raportuar dy probleme për të cilat ka marrë sqarime se kanë qenë teknike. Meta shpjegoi simbolin e dy gishtave pas votimit duke deklaruar se janë simbol të demokracisë por shtoi se nuk e ka problem të ngrejë edhe grushtin si simbol të popullit.

Meta deklaroi se do merret vetë personalisht me hetimin e ngjarjes së Elbasanit ndërsa i bëri thirrje policisë të ndaloj të gjithë personat që kanë qenë të përfshirë në përplasjen. Kreu i Shtetit shpjegoi pse kishte thirrur në takim Gazment Bardhin duke zbuluar se ka marrë konfirmimin prej tij se opozita do të bëjë më të mirë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Kujt nuk i pëlqejnë dy gishtat unë ngre dhe grushtin por grushti është i popullit. Dy gishtat janë të demokracisë për të përforcuar themelet e demokracisë. U njoftova që kishte nja dy probleme, teknike thuhet. Fola në telefon me ambasadorin e BE Soreca dhe i kërkova të përqendrohen këtu për të parandaluar çdo incident për të dëmtuar atmosferën në Elbasan, duke iu referuar ngjarjes së dy ditëve më parë për të cilën nuk kemi ende një qëndrim zyrtar edhe pse ishte bërë kallëzim një javë më parë. Unë thirra Bardhin si përfaqësues i opozitës.

E pyeta nëse e ka thirrur prokurori për kallëzimin që kishte bërë. Nuk e kishte thirrur. Policët sot më shumë se kurrë duhet të bëjnë detyrën e tyre për të parandaluar çdo krim zgjedhor sado I vogël të jetë ai. Çdo qytetar duhet të votojë vetëm njëherë dhe vota është e barabartë. Presidenti është simbol I unitetit kombëtar. Ai përqafon qytetarët që kanë votuar deri tani dhe ata që po presin dhe u lutet për durim për të votuar alternativën që duan larg çdo presioni. Jam shpresëplotë që pjesëmarrja do të jetë e lartë dhe historike.

Ju e dini që jam marrë me këtë çështje në ditët e fundit dhe për hetimin e kësaj ngjarje tragjike dhe merrem personalisht si kryetar i shtetit. Ftoj policinë të zbardhë ngjarjen dhe të ndalojë të gjithë të përfshirët. Kam marrë sigurinë nga ana e zotit Bardhi që opozita do të bëjë më të mirën. Qytetarët të shkojnë drejt kutive të votimit larg çdo presioni dhe çdo lloj oferte për të tjetërsuar votën e tyre. Të votojnë që në Elbasan të mbretërojë ligji sot e 100 vite”, tha Meta./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!