Meta në Derviçan, pritet me këngë dhe valle greke, vlerëson tre personalitete të minoritetit

schedule09:01 - 21 Gusht, 2020

schedule 09:01 - 21 Gusht, 2020

Presidenti ka zhvilluar një vizitë në Derviçan të Bashkisë Dropull, ku vlerësoi tre personalitete të minoritetit etnik grek, me kontribute për sportin shqiptar. Kreu i Shtetit u prit me këngë e valle polifonike në gjuhën greke.

Meta vendosi një buqetë me lule në bustin e ish-futbollistit të shquar të ekipit tonë Kombëtar, Lefter Millo, si dhe vizitoi ambientet e qendrës sportive që mban emrin e tij.

Ai vlerësoi Lefter Millon (pas vdekjes) me titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Si një prej talenteve më të shquara të futbollit shqiptar, i cili shpalosi në fushën e blertë aftësi dhe cilësi të spikatura si mesfushor me tipare sulmuese. Ai demonstroi në mënyrën më sipërore përsosmërinë teknike, forcën dhe energjinë e jashtëzakonshme, si dhe sedrën sportive me fanellën e Ekipit Kombëtar Shqiptar, ‘Luftëtarit’ dhe ‘Partizanit’, dhe së fundi, me ekipin grek të Larisës. Thjeshtësia dhe sjellja e tij e kulturuar ishin tipare që e lartësonin edhe më tej emrin e tij si futbollist i madh”. 

Gjithashtu, Kreu i Shtetit nderoi Kristo Ndrico me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në fushën e sportit, pjesë e Ekipit Kombëtar Shqiptar të volejbollit. Falë aftësive të shumanshme dhe talentit të veçantë ngelet një nga pedagogët dhe drejtuesit e shquar të arsimit në Gjirokastër, si dhe një ndër publicistët më të dalluar në median e shkruar shqiptare”.

Ndërsa me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, Presidenti Meta vlerësoi Sokrat Papadhopulli “Për kontributin dhe angazhimin e tij të shquar në jetën publike si mësues i talentuar, gazetar i përkushtuar dhe intelektual i njohur. Kronikani plot pasion i jetës sportive dhe botues i shumë artikujve e librave të historisë së sportit gjirokastrit, si dhe themelues e drejtues i ekipeve të pingpongut në Gjirokastër”.

Fjala e plotë e kreut të shtetit

Të dashur motra dhe vëllezër të Derviçanit,

Është një ditë e veçantë për mua, të cilën e kam pritur prej kohësh!

Ka qenë një dëshirë prej vitesh të vija pranë vëllezërve e motrave të Lefter Millos në vendlindjen e tij, e cila e lindi e rriti dhe e bëri atë një nga personalitetet më të spikatura të futbollit shqiptar!

Futbolli ynë ka njohur figura sportive nga më të shquarat, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në memorjen e sportdashësve.

Po rrallë ka ndodhur që tek një futbollist të kenë qenë të grumbulluar bashkë kaq shumë vlera sportive dhe njerëzore si tek Lefter Millo. Karakteri i pamposhtur i tij, teknika e lartë, energjia e pashtershme, finesa e kalimeve, vizioni dhe forca motorike ishin disa nga tiparet e tij që kanë ngelur të stampuara në mendjen dhe zemrat e sportdashësve të shumtë.

Si President i Republikës e kam quajtur përherë detyrim, përpara jush dhe qytetarëve që të isha një ditë si sot mes jush, që t’i dorëzoj  familjes, miqve dhe këtij komuniteti që lindi Millon, vlerësimet më të larta për birin dhe njeriun e tyre.

Ju shpreh mirënjohjen e merituar për gjithçka që Lefter Millo ka dhënë për sportin tonë, për lavdinë dhe kënaqësinë e mbarë sportdashësve që e kanë duartrokitur dhe janë krenuar me të.

Të dashur motra dhe vëllezër dropullitë,

Rrallë ndodh që nga një fshat si Derviçani po edhe një krahinë si ajo e Dropullit të lindin e të shkëlqejnë kaq shumë talente dhe figura të shquara të sportit të artit, të kultures dhe të gjithë fushave të tjera.

Dropulli, Gjirokastra, dhe krejt vendi ynë dhe publiku sportiv do t’i jenë përjetë mirënjohës sportistit dhe profesorit të shquar Kristo Karanxha, Publicistit dhe volejbollistit Kristo Ndrico, Kronikanit sportiv të papërsëritshëm profesor Sokrat Papallopulli, volejbollistëve së famshëm KrisanthiKsera, të mirënjohurës Figali Rogo, futbollistëve të shkëlqyer si të madhit Anastas Bozhorit, të jashtëzakonshmit Vasillaq Zerit, kryembrojtësit të kombëtares Arjan Xhumba, të pakulueshmve Pandeli Ksera, Altin Xhumba, Sotiraq Liti, Dhimiter Eksarko, Vangjel Millo mesfushorit të njohur Dhimitër Shoni, basketollistëve legjendarë Dhimo Kaci, Jorgjia Qirushi e Lefter Kaci,EvanthiaTelo. Talentit të pafat Grigor Stavri, mundësit të famshëm Kosta Papazisi, kampionit kombëtar të peshëngritjes Petro Shendi e Thoma Bisbiqi dhe shumë yjeve të sportit të minoritetit të cilëve mundësia dhe koha nuk na lejon ti përmendim.

Të dashur vëllezër e motra minoritarë,

Ka qenë shumë e vështirë të përzgjidhje për të dekoruar disa prej tyre sot në këtë aktivitetet kushtuar vlerave sportive.

Po duke menduar se ky ceremonial është vetëm hapi ynë i parë do të veçoja prej tyre këtë pasdite futbollistin e madh e të paharruar Lefter Millo, gazetarin, mësuesin dhe volejbollistin e shquar Kristo Ndrico si dhe kronikanin sportiv të papërsëritshëm, pipongistin dhe pedagogun e dalluar Sokrat Papallopulli.

Duke vlerësuar këta personalitete ne i kemi bërë nder gjithë plejadës së sportistëve që ata përfaqësojnë si dhe sportdashësve të panumërt të tyre që nuk i harrojmë kurrë.

Të dashur pjesëmarrës,

Ditën e sotme dhe këtë vizitë në Derviçan ja dedikuam sportit dhe mesazheve shumë të rëndësishme që ai përcjell në shoqëri, sidomos për brezat më të rinj.

Ndërkohë nuk mund të mos vendos në vëmendje vlerat e mëdha që kanë për shoqërinë tonë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes etnive të ndryshme, feve, kulturave.

Kjo harmoni mes minoritetit grek dhe shqiptarëve në Dropull, Gjirokastër, Sarandë, Vurg, Pogon, Delvinë dhe në gjithë territoret e tjera është një nga sintezat më të shkëlqyera të bashkëjetesës midis dy kombeve tanë të lashtë.

Dy popujt tanë kanë qenë për herë bashkë, në krah të njëri-tjetrit, në ditë të mira dhe të vështira. Ata kanë qenë përherë pjesë e të njëjtës aspiratë për mbijetesë, për liri, për demokraci, për emancipim shoqëror dhe një jetë më të mirë.

Triumfi i demokracisë edhe në Shqipëri i shtoi kësaj tradite bashkëjetese edhe hapjen ndaj atdheut Tuaj mëmë si dhe standardet më të mira euroatlantike në fushën e të drejtave dhe lirive njerëzore të pakicave etnike, të kartës europiane të drejtave te minoriteteve dhe një sërë traktatesh ndërkombëtare që garantojnë të drejtat dhe prosperitetin tuaj.

Të dashur miq të minoritetit grek,

Shqipëria ka ende rrugë për të realizuar ëndrrën e plotë europiane. Por është shumë e rëndësishme të ecim përpara në rrugën e prosperitetit, demokracisë, të zhvillimit ekonomik, turizmit dhe sipërmarrjes së lirë, krahas cilësisë së kërkesave për gjuhën, për edukimin dhe për identitetin kulturor.

Me kostumet e Dropullit krenohemi të gjithë, jo vetëm Dropullli. Duke përfunduar le të përulemi edhe njëherë me nderim të thellë para kujtimit të mjeshtrit të madh të futbollit Lefter Millo!

T’i urojmë shëndet e jetë të gjatë Kristo Ndricos dhe të nderuarit Sokrat Papadhopulli.

Për çdo dëshirë dhe shqetësim dera e Presidentit është gjithmonë e hapur. Dhe ajo do të jetë gjithmonë e hapur për ju dhe për të gjithë minoritarët  sepse është kënaqësi, dhe jam krenar që jam President i juaj, i këtij komuniteti të jashtëzakonshëm, i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm për përparimin e Shqipërisë në të gjitha fushat .

Rroftë Shqipëria dhe rroftë bashkëjetesa midis dy kombeve tona!

Paçi përherë gëzime dhe mbarësi në familjet tuaja!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!