Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit të dhimbshëm për ndarjen nga jeta të artistit Maks Velo. Kreu i shtetit në postimin e tij thekson se ky ishte një lajm i trishtueshëm dhe që ka lënë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare.
Meta ndër të tjera shkruan se Maks Velo dhe zëri i Tij kritik do t’i mungojë në veçanti mbrojtjes së interesit publik në këtë periudhë të brishtë institucionale dhe demokratike
Postimi i plotë:
Ndarja nga jeta e Maks Velos është një lajm i trishtueshëm.
Si një prej figurave më novatore të artit shqiptar, simbol i antikonformizmit dhe lirisë së mendimit, piktor e arkitekt i shquar që luftonte pakompromis transformimet e shfrenuara urbane, intelektual aktiv që jetoi dy epoka duke provuar vuajtjet e burgjeve të diktaturës, shkrimtar e studiues i njohur, kjo ikje e Tij le pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare.
Ngushëllime të afërmve, bashkëpunëtorëve, miqve e dashamirësve të shumtë!
Maks Velo dhe zëri i Tij kritik do t’i mungojë në veçanti mbrojtjes së interesit publik në këtë periudhë të brishtë institucionale dhe demokratike. /abcnews.al