Presidenti Ilir Meta ka reaguar përsëri pas vendimit të tij për të kthyer në Kuvend paketën anti—shpifje.
Meta bën thirrje që të lexohen me vëmendje argumentat kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend.
Ky reagim i Presidentit vjen pas deklaratës së kreut të grupit socialist Taulant Balla, i cili tha se Meta e ktheu paketën pas urdhrit të Lulzim Bashës. Po ashtu Balla theksoi se do e rrëzojnë të hënën në Kuvend dekretin e Metës.
Reagimi i Ilir Metës:
Të dashur qytetarë,
Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik.
Shqipëria dy vitet e fundit ka një përkeqësim të këtyre treguesve, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias.
Ndaj është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Edhe njëherë, i ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentat kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”.