Presidenti Ilir Meta këtë të mërkurë ka zhvilluar një video-konferencë me Kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve,Michael Granoff.
Kreu i shtetit përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se në këtë komunikim ai i ka shprehur mirënjohjen e tij zyrtarit amerikan, në lidhje me kontributin e jashtëzakonshëm për zbatimin në Shqipëri të programeve zhvillimore në ndihmë të shkollimit, lidershipit, bizneseve, kulturës dhe turizmit, si dhe ta përgëzoja për projektet e reja ambicioze në këto fusha shumë të rëndësishme.
Ndër të tjera Meta në postimin e tij thekson se në këtë video-konferencë ka vlerësuar impenjimin e tij dhe të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, në përshtatjen e programeve të reja për shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve në situatën e Pandemisë.
Gjithashtu presidenti thekson se ka kërkuar që Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve të orientohet edhe drejt rritjes së investimeve amerikane në Shqipëri, si një tregues dhe përfaqësues i rëndësishëm i marrëdhënieve të veçanta mes Shqipërisë e SHBA-ve dhe popullit shqiptar e popullit amerikan. /abcnews.al