Meta mbështet propozimin për rritjen e fashës së energjisë: Të mos zhvaten shqiptarët

schedule12:40 - 19 Shtator, 2022

schedule 12:40 - 19 Shtator, 2022

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mbështet propozimin e Konfindustrisë Shqiptare për rritjen e fashës së konsumit të energjisë elektrike. Sipas propozimit, fasha e vendosur nga qeveria 800 kwh, të jetë 1200 kwh.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta shprehet se fasha aktuale e vendosur nga qeveria prek financiarisht dhe në mënyrë të konsiderueshme rreth 90.000 deri në 130.000 familje shqiptare dhe për këtë arsye mbështet rritjen e saj.

Meta nënvizon se duhet mbështetur familjet shqiptare dhe jo zhvatur ato, ndërsa hedh akuza për qeverinë.

Reagimi i Ilir Metës:

Mbështes plotësisht propozimin e Konfindustrisë Shqiptare për rritjen e fashës së konsumit të energjisë elektrike, mbi të cilin do të zbatohet pagesa me çmimet e tregut ndërkombëtar për familjarët.

Propozimi për vendosjen e kësaj fashe nga 800Kë në 1200Kë në muaj është plotësisht i drejtë, pasi me fashën e vendosur nga Qeveria preken financiarisht dhe në mënyrë të konsiderueshme rreth 90.000 deri në 130.000 familje shqiptare, kryesisht ato të shtresës së mesme.

Në kushtet e rritjes të çmimeve të naftës, produkteve të shportës dhe çdo shërbimi, është e pavend të rëndohen edhe më tej buxhetet familjare.

Është koha për të mbështetur familjet shqiptare dhe jo për t’i zhvatur ato, me para që përfundojnë për inceneratorët, koncensionet dhe tenderat sekretë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!