Presidenti Ilir Meta priti Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut Dancho Markovski, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Meta tha se Shqipëria mbetet gjithnjë e interesuar për progresin, begatinë dhe avancimin e qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut në proceset e integrimit europian dhe shprehu bindjen se dy vendet tona fqinje, aleate në NATO, dhe me vizione të përbashkëta euroatlantike, do të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet në dobi të paqes, stabilitetit e zhvillimit të rajonit.
Presidenti deklaroi se vendimi pa kushte të Marsit të BE-së për fillimin e bisedimeve është një gur i rëndësishëm kilometrazhi për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt familjes europiane dhe garanci për të kapërcyer çdo pengesë në këtë proces të rëndësishëm për të dhe për të gjithë rajonin.
Kreu i Shtetit vlerësoi lart pjesëmarrjen e faktorit shqiptar në institucionet e Maqedonisë së Veriut, si një konfirmim i kontributit dhe mbështetjes së vazhdueshme të shqiptarëve ndaj reformave të rëndësishme, rrugës euroatlantike, stabilitetit demokratik të vendit, si dhe ndërtimit të një shteti multietnik./mv.abcnews.al