Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ngritur shqetësimin ndaj rrezikut në të cilën ndodhen gazetat print në vend. Kreu i shtetit inkurajon gazetarinë e lirë e të pavarur që të investigojnë në emër të opinionit publik.
“Për Shqipërinë, aspirante për anëtare në Bashkimin Europian, regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias është i papranueshëm”, shprehet Meta.
Statusi:
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen sot lirinë e medias në Shqipëri të përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë, sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve. Ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimet dhe presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, janë bërë shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë.
Pasojat e paralajmëruara të paketës anti-kushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”, si dhe krizat e njëpasnjëshme të tërmetit dhe Covid-19, po e thellojnë regresin, duke i detyruar botuesit aktualë të bëjnë përpjekje të sforcuara për të mbajtur ende në treg median në print, që po rrezikohet seriozisht.
Gazetarët vetë raportojnë se kushtet e tyre të punës, informaliteti, çensura dhe autoçensuara janë në nivele të papranueshme. Liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut. Veçanërisht mbrojtja e lirisë së shprehjes në kohë pandemie, siç thekson edhe Këshilli i Europës, ka një rëndësi jetike.
Duke ndarë të njëjtat shqetësime me organizatat botërore të gazetarëve dhe duke shprehur solidaritetin tim me të gjithë komunitetin e medias në vendin tonë, që duhet ndihmuar seriozisht në këto momente të vështira që po kalojmë, nxis dhe inkurajoj gazetarinë e lirë e të pavarur që pyet, kërkon përgjigje, investigon dhe flet në emër të opinionit publik, që mbron dhe është zëdhënëse vetëm e interesave të tij.
Për Shqipërinë, aspirante për anëtare në Bashkimin Europian, regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias është i papranueshëm.