Meta thirrje të fortë: Kauza për Teatrin të mos ndalet deri në rindërtimin e tij, 17 Maji nuk falet

schedule18:54 - 19 Maj, 2020

schedule 18:54 - 19 Maj, 2020

Presidenti Ilir Meta ka përsëritur edhe njëherë akuzat për shembjen e Teatrit Kombëtar. Meta thotë se në 17 maj u lëndua ndërgjegja kombëtare, ndërsa thekson se ajo nuk do të harrohet kurrë derisa të vendoset drejtësia.

Meta thotë se kauza e artistëve është e të gjithëve dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e tiranisë dhe rindërtimin e Teatrit.

“Ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë!

Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë.

Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua.

Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s’do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t’u zgjuar e bashkuar para se Tirania t’i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re.

Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët.

Të gjithe u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme.

Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë.

Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë

A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj? “, shkruan Meta./abcnews.al